BE sfidë Trump? I bashkohet aleancës së OBSH-së për vaksinën anti-COVID

Bashkimi Evropian njoftoi se do t’i bashkohet aleancës për vaksinat kundër koronavirusit COVAX, një iniciativë e udhëhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Bashkimi Evropian do të japë 400 milionë euro për COVAX, një program që do të sigurojë qasje globale për vaksinën e mundshme ndaj COVID-19. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e konfirmoi lajmin, i cili u mirëprit nga OBSH-ja. Bashkimi Evropian njoftoi se do t’i bashkohet aleancës së vaksinave kundër koronavirusit COVAX, një iniciativë e udhëhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

400 milion euro në mbështetje të programit

Komisioni Evropian tha se do të japë 400 milionë euro në mbështetje të programit. Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen tha se objektivi është të punojmë bashkarisht “për blerjen e vaksinave të ardhshme në dobi të vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

“Unë kam besim se kjo do të na sjellë më afër qëllimit tonë – ta mundim këtë virus së bashku – sepse një gjë është e qartë: ne nuk do të jemi të sigurt derisa të gjithë, qoftë këtu në Evropë, apo në botë, të jenë të sigurt.” Ajo shtoi se “termat dhe kushtet e hollësishme për pjesëmarrjen dhe kontributin e BE do të përpunohen në ditët dhe javët e ardhshme”. Dy miliardë doza do të jenë në dispozicion për të gjitha vendet.

Vaksinat për të gjitha vendet

Nisma COVAX synon të blejë dy miliardë doza të të gjitha vaksinave potenciale kundër COVID-19 prej prodhuesish të ndryshëm vaksinash deri në fund të vitit 2021. Po ashtu qëllimi i saj është t’i bëjë vaksinat të disponueshme për të gjitha vendet në të gjithë globin.

Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, e mirëpriti mbështetjen financiare. “Faleminderit shumë Komisionit të BE-së për kontributin e tij për strukturën COVAX dhe për qëndrimin e vendosur dhe angazhimin e tyre për multilateralizmin,” shkroi Tedros në Twitter./DW


Shtuar 1.09.2020 06:59