Aktakuza ndaj Thaçit, Hoti nuk merr pjesë në takimin në Uashington

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në takimin me palën serbe i paraparë të mbahet në Uashington më 27 qershor.

Takimi ishte thirrur nga i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.

Arsye për anulimin e vizitës, sipas Hotit, është situata e krijuar pas paraqitjes së aktakuzës nga Prokuroria e Specializuar me seli në Hagë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Për shkak të zhvillimeve të reja në Prishtinë si rezultat i aktakuzës të paraqitur nga Prokuroria e Specializuar, unë duhet të kthehem në vendin tim për t’u marrë me situatën. E njoftova Ambasadorin Grenell se nuk mund të marr pjesë në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Hoti në Twitter.


Shtuar 25.06.2020 06:25