Takimi LVV-LDK, Haki Abazi optimist për arritjen e marrëveshjes

Me qëllimin e arritjes së një koalicioni për bashkëqeverisje, Lëvizja Vetëvendosje do të zhvillojë sërish një takim me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në këtë takim do të jenë prezenet edhe ambasadorët e QUINT-it, si dhe shefja e Misionit të Bashkimit Evropian.

Pak orë para fillimit të këtij takimi, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi është shprehur optimist për arritjen ë kësaj marrveshje gjatë ditës së sotme.

“Jam optimist se do të arrihet faza finale e marrëveshjes”, ka thënë Abazi shkurtimisht për Telegrafin.

Lidhur me takimin, janë deklaruar edhe shtetet e QUINT-it, të cilat përmes një deklarate të përbashkët për media kanë theksuar se përgjegjësia për të ardhmen e Kosovës, qëndron tek njerëzit e Kosovës dhe te askush tjetër, duke shtuar se nuk do të angazhohen në ndërmjetësimin për formimin e Qeverisë.

“Çdo sugjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë… përgjegjësia për të ardhmen e Kosovës, për udhëheqësit e Kosovës, dhe për vetë Kosovën, është vetëm e juaja, e popullit të Kosovës”. Ne nuk do të ndërmjetësojmë. Ne i inkurajojmë të gjithë aktorët politikë në Kosovë që të përqendrohen në aspiratat e popullit të Kosovës”, thuhet në reagimin e vendeve të QUINT-it.

Ndryshe, mospajtimet ndërmjet LVV dhe LDK-së për bashkëqeverisje janë për shkak të pozitave, ku LDK po kërkon kryeparlamentarin, pesë ministri dhe zotimin për mbështetje e kandidatit të tyre për president në vitin 2021./Telegrafi/


Shtuar 28.01.2020 13:04