Politika e jashtme e Kosovës: Kurti hap para, Thaci hap prapa, ShBA dhe BE ripozicionim

Prof. Lisen Bashkurti
Kohët e fundit situata në Kosovë duket se po tensionohet sërish. Në qëndër të këtij tensioni qëndron cështja e rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi deri në normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe njohjen reciproke nepërmjet një marrëveshje përfundimtare midis palëve me ndërmjetësim dhe garanci nga ShBA dhe BE.

Në planin e brëndshëm Kosovar, shkaku i këtij tensionimi ka të bëjë më bipolaritetin e politikës së jashtme dhe diplomacisë së Kosovës, përqëndruar tek Qeveria e re dhe tek Presidenti Thaci. Ky bipolaritet nëse do thellohet sic po duket, do shndërrohet në antagonizëm, në një kohë kur, më tepër se kurrë Kosovës i nevojitet unitet në koalicionin qeveritar dhe kohezion politik mbarë kombëtar, sidomos për politikën e jashtme dhe dialogun me Serbinë.

Një tranzicion i thellë po ndodh në politikën e Kosovës. Aktualisht Qeveria Kurti duket se akoma nuk e ka marrë tërësisht në duart e saj politikën e jashtme dhe diplomacinë e Kosovës. Inercia e të qënit opozitarë e VV-LDK dhe Kurtit akoma vijon edhe në kushtet e marrjes së mazhorancës parlamentare dhe të qeverisjes së Kosovës.

Ndërkohë, Presidenti Thaci vijon të sillet, deklarohet e të veprojë sikur të ishte mazhoranca dhe qeverisja e tij. Inercia e të qënit parti-shtet tek Presidenti Thaci vijon edhe në kushtet kur Ai dhe partia e tij kanë humbur kompetencat kushtetutese dhe legjitimitin popullor për të qeverisur politikat publike, të brëndshme dhe të jashtme të Kosovës.

1. Qeveria Kurti dhe koalicioni VV-LDK të marrin në duar politikën e jashtme dhe diplomacinë
Për bipolarizimin e politikës së jashtme dhe diplomacisë së Kosovës në një farë mënyre përgjegjësia është e të dy palëve, Qeverisë dhe Presidentit. Qeveria Kurti lypet të marrë menjëherë dhe tërësisht përgjegjësitë e saj kushtetuese për drejtimin e politikave publike në Kosovë, përparësisht, politikën e jashtme dhe diplomacinë. Është momenti i vendimeve të rëndësishme që presin institutionet kushtetuese të Kosovës, parlamentin dhe Qeverinë të dala nga vota popullore e 6 Tetorit 2019.

Kosovës i nevojitet njw lidership i qartë, i vendosur dhe i guximshëm për të marrë vendime të shpejta, të drejta, të arsyeshme dhe të guximshme. Koalicioni VV-LDK gërsheton më së miri energjitë rinore dhe përvojën qeverisëse, prandaj shpresat ndaj tij janë të mëdha. Ruajtja e unitetit politik të koalicionit VV-LDK është kruziale për suksesin e lidershipit të Kosovës. Ka dhe do ketë përpjekje djallëzore të brëndshme dhe të jashtme për të përcarë koalicionin VV-LDK dhe për të dobësuar kështu, deri në dështim suksesin e tij.

Kurti, Mustafa e Osmani dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë përgjegjësi historike, ndaj lypet të qëndrojnë në lartësinë e kërkesave të kohës. Unitet, përgjegjshmëri, profesionalitet – ja cfarë i lypet koalicionit VV-LDK të Qeverisë Kurti. Përballë unitetit, përgjegjshmërisë dhe profesionalitetit askush, as nga brënda dhe as nga jashtë, as me presione dhe as me miklime nuk do të mund të thyejë lidershipin e koalicionit VV-LDK dhe Qeverinë Kurti.

2. Presidenti Thaci jashtë binarëve Kushtetues e legjitimitetit popullor
Për bipolarizimin e politikës së jashtme dhe diplomacisë së Kosovës përgjegjësi vecantë dhe kryesore ka Presidenti i Kosovës, Thaci. I mësuar dhe i toleruar për një kohë të gjatë në krye të Presidencës së Kosovës dhe i mbështetur jashtë kompetencave kushtetuese nga mazhorancat e krahut të luftës, PAN, Presidenti Thaci, sic duket mediatiksht, po vazhdon sërish dhe madje, intensivisht të luajë protagonistin në politikën e jashtme dhe diplomacinë e Kosovës, sikur të jetë zgjedhur nga populli ose sikur gëzon të njëjtat kompetenca kushtetuese si homolgu i tij Serb, Vucic.

Presidenti Thaci lypet të futet në binarët kushtetues, nëse nuk e bën këtë vetë, atherë duhet t’ia imponojnë normat dhe institucionet kushtetuese të Kosovës. Presidenti Thaci nuk ka asnjë tagër kushtetues e pushtet legjitim për përgatitjen, elaborimin, udhëheqjen dhe implementimin e politikës së jashtme dhe diplomacisë së Kosovës. Presidenti Thaci, gjithashtu lypet ta ketë të qartë se Ai nuk ka tagrin kushtetues dhe legjitimitetit e homologut të tij Serb, Vucic, pushteti i të cilit buron nga Kushtetuta e Serbisë dhe vota e drejtpërdrejtë popullore.

3. ShBA-BE të bashkëpunojnë me lidershipin kushtetues dhe legjitim të Kosovës
Për paradoks ka disa faktorë ndërkombëtarë, në ShBA dhe BE që po vijojnë të komunikojnë e veprojnë jo me lidershipin kushtetues dhe legjitim të Kosovës, pra me Qeverinë Kurti të koalicionit VV-LDK, por po i krijojnë akses të padrejtë, të paasryeshëm dhe krejtësisht të padobishmë Presidentit Thaci për cështjë substanciale të politikës së jashtme dhe diplomacisë së Kosovës.

Natyrisht, Presidenti i Kosovës përfaqëson një institucion të vëcantë kushtetues për Kosovën dhe si i tillë, Ai ushtron kompetenca edhe të marrëdhëniet ndërkombëtare, vetëm në protokollet dhe ceremonialet diplomatike në emër të Shtetit të Kosovës. Gjithcka është sanksionuar saktë dhe qartë në Kushtetutën e Kosovës, ku parashikohet se politika e jashtme dhe diplomacia e Kosovës drejtohen nga Qeveria e Kosovës, Kryeministri, Ministri i Jashtëm pasi miratohen dhe ratifikohen nga Kuvendi i Kosovës.

Është momenti, tanimë, që ShBA dhe BE, si dhe përfaqësuesit e tyre diplomatik të fillojnë bashkëpunimin e tyre me institucionet kushtetuese, Qeverinë e mazhorancën të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019, për të gjitha cështjet që kanë të bëjnë me Kosovën përgjithësisht dhe me politikën e jashtme dhe diplomacinë e saj në mënyrë të vecantë.

Kosova po përjeton një tensionim të brëndshëm të pënevojshëm, shkaku kryesor i të cilit ka të bëjë më bipolaritetin e politikës së jashtme dhe diplomacisë së Kosovës, përqëndruar njëkohësisht tek Qeveria e re dhe tek Presidenti Thaci. Ky bipolaritet anti-kushtetues dhe jo legjitim lypet të ndërpritet, sa më shpejtë aq më mirë, për siguruar kështu konstitucionalitet dhe legjitimitet pushteti dhe institucionesh në Kosovë. Nëse ky bipolaritet do thellohet, athere në vënd të unitetit politika e jashtme do përcahej dhe në vënd të kohezionit social vëndi do futej në kaos. Më tepër se kurrë Kosovës i nevojitet unitet dhe kohezion në koalicionin qeveritar dhe në rrafsh mbarëkombëtar, për përmbushjen me sukses të të gjithë politikave publike si dhe të dialogut me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve deri në njohjen reciproke.

Është koha që Qeveria Kurti të bëjë hapa para, Presidenti Thaci të bëjë hapa prapa dhe ndërkombëtarët të ripozicionen në njohjen dhe bashkëpunimin me lidershipin e ri kushtetues dhe legjitim të Kosovës.


Shtuar 10.03.2020 00:24