Një polic humbi jetën e tre u plagosën, kërkohet paraburgim për të dyshuarin e sulmit në Zhur

Prokuroria Themelore në Prizren, ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme në Gjykatën Themelore të parashtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj I.B., i dyshuar për sulmin me eksplozivë ku humbi jetën një zyrtar i Policisë së Kosovës dhe tre të tjerë mbetën të lënduar.

I dyshuari I.B. është arrestuar nën dyshimin e kryerjes së veprës penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ku është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Gjatë veprimeve të ndërmarra nga ana e Prokurorisë, është arrestuar i dyshuari me inicialet I.B, për shkak të veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndërsa, me urdhër të prokurorit, i dyshuari I.B, është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, kurse gjatë ditës pritet që në Gjykatën Themelore në Prizren për të njëjtin të parashtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit. Prokuroria Themelore në Prizren, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rastit”, bëhet e ditur në komunikatë.


Shtuar 29.01.2020 14:38