Haradinaj flet për dëshminë e tij në gjykatë lidhur me veteranët

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se ka dhënë dëshminë e tij për rastin e veteranëve.

Haradinaj ka pohuar se i është përgjigjur pyetjeve të mbrojtjes, prokurorisë dhe trupit gjykues.

“Sot me ftesë të Gjykatës u paraqita si dëshmitar në rastin e Veteranëve. U përgjigja pyetjeve të mbrojtjes, prokurorisë dhe trupit gjykues. Respekti dhe vlerësimi nga të gjithë ne për gjyqësorin, e forcon sistemin tonë të drejtësisë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ndryshe, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, akuzohen ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë.

Ata akuzohen për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së.

Propozimin për dëgjimin e Haradinajt, si dëshmitar në këtë proces gjyqësor e kishte dhënë mbrojtësi i të akuzuarit Shkumbin Demalijaj, avokati Arianit Koci, në seancën e 7 shkurtit të këtij viti.

Haradinaj, ishte paraparë që të dëshmonte në seancën e 21 shkurtit, por e cila ishte anuluar për shkaqe shëndetësore të gjykatëses Nushe Kuka-Mekaj, ndërsa Haradinaj nuk kishte marrë pjesë në seancën e 24 shkurtit, për të cilën seancë Kuka-Mekaj, kishte thënë se nuk ka prova se dëshmitari kishte pranuar ftesën.


Shtuar 4.03.2020 12:05