Fëmijët të prekur nga gripi, apel për marrjen e masave

Gripi sezonal ka kapluar vendin. Që nga tetori i vitit të kaluar mijëra qytetarë janë prekur me këtë grip, ku një person edhe ka gjetur vdekjen. Vazhdimisht po bëhet apel te qytetarët që t’i marrin masat e nevojshme për t’u mbrojtur nga ky grip.

Ndër kategoritë që rrezikohen nga gripi janë edhe fëmijët. Nga Klinika e Pediatrisë i ishte thënë gazetës nga muaji dhjetor se veçse ka filluar të rritet numri i fëmijëve të paraqitur me simptoma të ngjashme si ato të gripit, duke përshirë këtu kollitje e temperaturë.

Nga kjo klinikë u është bërë thirrje disa herë prindërve që të kujdesen për fëmijët e tyre, në mënyrë që ky grip, i cili është paraqitur në këtë kohë, të mos i prekë ata.

Pediatri Ramush Beiqi per “Zëri” ka thënë se gripi paraqitet gjatë stinës së pranverës, vjeshtës e dimrit. Ai ka theksuar se gjatë këtij sezoni ka edhe fëmijë të cilët preken nga gripi e që duhet të marrin masa për t’u mbrojtur nga ai.

“Shpeshherë fëmija mund të ketë shenja të gripit, por të mos e ketë atë grip. Zakonisht gripi paraqitet në vjeshtë, në pranverë e në dimër. Fëmijët me grip kanë temperaturë. Ata duhet të pinë më shumë lëngje e çaj. Edhe nëse fëmija është i sëmurë me kollë ai duhet të qëndrojë në shtëpi edhe për shkak të menaxhimit të tij më lehtë, edhe për shkak që gripi të mos kalojë te pacientët tjerë”.

Beiqi ka thënë se është mirë që edhe në spitale të ndalen vizitat e shumta, kjo për shkak të mospërcjelljes së gripit edhe në personat tjerë.


Shtuar 11.01.2020 10:29