Braktis Amerikën për kandidatin për deputet, Adrola nis bashkëjetesën me biznesmenin (FOTO LAJM)

Fiks për Shën Valentin, modelja Adrola Dushi dhe rokeri Eugent Bushpepa u prezantuan si çift i dashuruar brenda 4 minutave të klipit të ri të artistit, me titull “Stay with me tonight”.

E pas aludimeve se mes tyre kishte nisur një romancë, përderisa nuk i kursyen puthjet dhe përkëdheljet në publik, mediat e Kosovës zbulojnë historinë e re të dashurisë së modeles me Albin Gashin, ish-kandidatin për deputet të Lëvizjes Vetëvendosja, në Kuvendin e Kosovës.

Madje, nëna e një djali nga martesa me Adis Patushin, për dashurinë ka lënë karrierën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të nisur bashkëjetesën në Prishtinë me të dashurin e ri, një brun simpatik i komentuar jo pak vitin e kaluar në politikën e Kosovës.

Adrola 27-vjeçare ka nisur një lidhje me Gashin, ish-kandidatin 31-vjeçar për deputet në Kuvendin e Kosovës, shkruan Magazina.al.

Adrola dhe Albini janë fotografuar së bashku në Prishtinë dhe janë parë shpesh në publik duke u prezantuar te miqtë si partnerë të vërtetë, që e kanë marrë shumë seriozisht këtë lidhje mes tyre.

Madje, në disa komente thuhet se Adrola ka rënë kokë e këmbë brenda, pasi ka lënë jetën e vështirë dhe plot sakrifica në SHBA, për t’u rehatuar pranë të dashurit të ri biznesmen dhe politikan, djali i avokatit të njohur Tomë Gashi, i cili ka mbrojtur Albert Veliun, i njohur ndryshe si “Babalja”.

Kujtojmë që pak kohë më parë, e pyetur nëse është në një lidhje dashurie me një djalë nga Kosova, modelja zgjodhi t’i përgjigjej në mënyrë diplomatike, duke thënë: “Po kontribuoj në bashkimin kombëtar mes Kosovës dhe Shqipërisë”.

Burime të afërta pranë çiftit kanë treguarse për lidhjen e tyre janë në dijeni dhe të afërmit, ndërkohë që janë duke bërë plane për një fejesë të afërt. Madje, mediat e Kosovës kanë bërë pak lojë fjalësh me këtë ndryshim në jetën e Albinit, i cili nuk pati fatin të bëhej deputet në zgjedhjet e fundit, por pati fat në dashuri.

Kujtojmë se Adrola Dushi ishte e martuar me djalin e një biznesmeni, Adis Patushin, me të cilin ka një djalë, Troin, ndërsa Albin Gashi nuk është komentuar ndonjëherë për ndonjë lidhje VIP.

Flitet se ata janë njohur në SHBA, ku Albini ka ndjekur studimet e larta, ndërsa Adrola u vendos bashkë me djalin për të ndjekur ëndrrën e saj si modele.


Shtuar 1.03.2020 13:28