Sulmi në ambasadë, Trump kërcënon Iranin: Do të paguajë çmim shumë të madh

Shtetet e Bashkuara do të vendosin 750 trupa shtesë në Lindjen e Mesme dhe ky numër do të shtohet në ditët në vijim, pasi Ambasada amerikane në kryeqytetin irakian të Bagdadit, u sulmua nga një turmë demonstruesish, të zemëruar nga vrasja e militantëve të lidhur me Iranin, gjatë sulmeve ajrore të SHBA-së më 29 dhjetor 2019.

Nga ana e tij, presidenti amerikan, Donald Trump, ka lëshuar një kërcënim për Iranin, pasi e fajësoi për sulmin ndaj ambasadës amerikane në Irakun fqinj. Trump tha se Irani “do të paguajë një çmim shumë të madh” për çdo dëmtim ose humbje të jetës.

“Ky nuk është një paralajmërim, por një kërcënim”, shtoi ai.

Më pas sekretari amerikan i mbrojtjes, Mark Esper, njoftoi se rreth 750 ushtarë menjëherë do të vendosen në rajon.

“Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë njerëzit dhe interesat tona kudo që gjenden, në të gjithë botën”, tha Esper.

Nga ana e tij, Teherani mohoi të ishte prapa protestave të dhunshme.

“Zyrtarët amerikanë kanë guximin befasues për t’i atribuar Iranit protestat e popullit irakian kundër vrasjes së egër të të paktën 25 irakianëve”, tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Abbas Mousavi, përmes një deklarate.

Sulmi ndaj Ambasadës së SHBA-së në Bagdad, mund të jetë më i dhunshmi që nga sulmi i vitit 2012 ndaj një grupi diplomatik në Bengazi, Libi. Katër amerikanë, përfshirë ambasadorin Christopher Stevens, u vranë në atë sulm.


Shtuar 1.01.2020 11:40