Rëndohet bilanci në Spanjë, situata më e rëndë se në Kinë

Numri i përgjithshëm i rasteve të koronavirusit në Spanjë mbërriti në gati 85.200, duke kapërcyer edhe Kinën me 81.470 sipas të dhënave të fundit.

Me një popullsi prej 47 milionë banorë, krahasuar me 1.4 miliardë të Kinës, Spanja po përballet me një rritje të shpejtë të infektimeve, e gjatë 24orëve të fundit ka raportuar edhe 812 vdekje të reja.

Kjo e çon bilancin e jetëve të humbura në mbi 7,300 që nga shpërthimi i epidemisë. Sistemet shëndetësore në Itali dhe Spanjë janë dërrmuar nga pesha e numrit të madh të të sëmurëve me të cilët janë përballur këto kohë.

Të dy vendet europiane bashkë kanë më shumë se gjysmën e 34,000 vdekjeve që ka shkaktuar nëpër botë Covid 19.

Në një situatë që vetëm një muaj më parë konsiderohej e paimagjinueshme, zyrtarët italianë raportuan me një lloj lehtësimi të djelën faktin që brenda një dite pati 756 vdekje e jo më shumë.


Shtuar 30.03.2020 12:24