Mijëra emigrantë në kufirin greko-turk, përplasje me policinë

Vetëm 36 orë pasi qeveria turke hapi dyert ndaj emigrantëve sirianë që ndodheshin në territorin e saj, kufiri mes Greqisë dhe Turqisë është mbushur me mijëra të tillë, të cilët synojnë të futen në Bashkimin Europian.

Mediat greke raportojnë se vetëm në njërën nga pikat kufitare janë mbledhur 3 000 emigrantë që synojnë të futen në Greqi, ndërsa i gjithë kufiri është i mbushur me të tillë, shkruan albeu.com.

Greqia është në një gjendje alarmi në zonën kufitare me Turqinë duke dërguar ushtrinë dhe forca të reja policore për t’iu përgjigjur krizës.

Gjatë mbrëmjes së djeshme ka patur përplasje fizike mes emigrantëve dhe policisë greke, të cilët nuk kanë lejuar futjen e tyre në territorin e Greqisë.

Kryeministri grek Kiriakos Mitsotakis tha dje se Greqia nuk ka pse të mbajë përgjegjësi për asgjë që ka ndodhur në Siri duke nënkuptuar se nuk do ta hapë kufirin për emigrantët sirianë që futen nga Turqia.

Vendimi i Turqisë për t’i përdorur emigrantët si presion ndaj Perëndimit erdhi pas vrasjes së 33 ushtarëve nga aviacioni rus në Idlib të Sirisë.

Ushtria turke ndodhet pa mbështetje ajrore në territorin sirian pasi hapësira ajrore kontrollohet nga Rusia.

Turqia kërkon mbështetjen e Perëndimit për të vendosur nën kontroll veriun e Sirisë me qëllim ndalimin e futjes së emigrantëve, por edhe mos rëniën e Idlibit në duart e qeverisë së Asadit, si zona e fundit nën kontrollin e opozitës siriane. /albeu.com


Shtuar 29.02.2020 09:05