Ekonomia italiane “dridhet” nga koronavirusi, humb 18 milionë euro në ditë

Koronavirusi nuk po trondit vetëm njerëzit, por edhe ekonominë në Itali. Dëmet e tij mund të jenë shumë të mëdha. Nga e hëna, thonë mediat vendase, me zyrat qeveritare, dyqanet e fabrikat e mbyllura në vatrat e infeksionit, Italia do të nisë të bëjë llogaritë me dëmet ekonomike të shkaktuara nga epidemia.

Lombardia dhe Veneto vlejnë sa 31 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto në vendin fqinj, e siç raporton “La Repubblica”, ndonëse për momentin është e vështirë të dilet me një bilanc të saktë të dëmeve, humbjet do të jenë të mëdha, duke pasur parasysh se kompanitë e Codognos dhe Casalpusterlengos – dy nga komunat që përfunduan në karantinë në Lombardi – faturojnë të vetme rreth 1.5 miliardë euro në vit.

Çdo ditë izolimi dhe bllokimi të aktivitetit atje, mund të bëjë që të avullojnë 4 milionë euro, e nëse pastaj llogaritë bëhen për të gjithë rajonin lombard, fatura e humbjeve do të shkonte në 18 milionë euro në ditë. Qeveria italiane ka nisur nga puna për t’i ardhur në ndihmë bizneseve në rajonet e prekura që kanë përfunduar në karantinë.

Me qëllimin të kufizohet dëmi ekonomik, qeveria është duke studiuar një lloj “plani Marshall” për zonat që kanë përfunduar në karantinë. Milano e pagoi tashmë një faturë të kripur: numri i blerësve kinezë është reduktuar me 80 për qind krahasuar me vitin e kaluar.


Shtuar 23.02.2020 13:55