Bëri “namin” në Tik Tok, çfarë rrezikon Kapedani sipas hetimit

Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka mbërritur pasditen e sotme në gjykatë e Elbasanit, për të verifikuar ambientet e brendshme të gjykatës me ato që janë shfaqur në videot e nën kryetares Enkeleda Kapedani.

Veprimet që mund të merren ndaj gjyqtares nisin nga vërejtja publike e deri në atë më ekstremin, shkarkim nga detyra.

Në Pikën 9 të Kodit të miratuar nga KLGJ-ja më 22 prill me firmën e kryetares Naureda Llagami, thuhet se “gjyqtari shmang sjelljen e pahijshme dhe shfaqjen e saj në të gjitha aktivitetet e tij. Si subjekt i vëzhgimit të vazhdueshëm publik, gjyqtari duhet të pranojë kufizime personale që mund të shihen si të paarsyeshme për një qytetar të thjeshtë”.

Ndërkohë, këto pamje i ka komentuar dhe vetë Kapedani i cili shprehet se qëllimi i vetëm i tyre është të dëmtojnë imazhin e saj.

Reagimi i plotë

Qëndrimi im në lidhje me shpërndarjen e disa videove nëpër media.
Si gjyqtare në radhë të parë dhe si nënkryetare e Gjykatës ndjehem keq nga publikimi i këtyre videove vetëm për të më dëmtuar imazhin. Unë si gjyqtare e kam të ndaluar të komentoj, por do pres me qetësi verifikimin e kësaj situate.

As si individ as si gjyqtare nuk jam krenare për videot e publikuara. Shpresoj që ky sulm mos të jetë ndaj meje sepse jam grua dhe nene.
Ndërsa kërkoj ndjesë për cilindo që është ndier keq nga ato video.
Dua të theksoj me forcë se asnjë insinuatë apo përbaltje nuk do më influencojnë të jap drejtësi dhe të punoj ndershmërisht si deri më sot.


Shtuar 31.05.2021 19:03