10 kompanitë më të mëdha ajrore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundërshtojnë teknologjinë 5G. Duke i kërkuar administratës së presidentit Joe Biden të ndërhyjë menjëherë për të mos lejuar antenat pranë aeroporteve të mëdha, ata paralajmërojnë pasoja katastrofike për transportin dhe ekonominë.
Kompanitë ajrore amerikane i druhen sinjaleve C-band të teknologjisë 5G se mund të çorientojë sistemet e drejtimit, veçanërisht ato që përdoren për ulje dhe ngritje gjatë motit të keq. Paralajmërimi është lëshuar në një letër dërguar aviacionit të SHBA-ve.
“Nevojitet ndërhyrje e menjëhershme për të shmangur ndërprerje të konsiderueshme operacionale për pasagjerët, dërgesat e mallrave, zinxhirin ushqimor dhe shpërndarjen e pajisjeve mjekësore, përfshirë vaksinat” Pjesë nga letra e kompanive ajrore amerikane
Kompanitë ajrore kërkojnë që antenat 5G të qëndrojnë përafërsisht 3,2 kilometra larg nga aeroportet. Këtyre shqetësimeve i janë bashkuar dhe dy kompanitë më të mëdha prodhuese të avionëve, Aribus dhe Boeing.
“Efektet e valëzuara për linjat me pasagjerë dhe mallra, për fuqinë punëtore dhe ekonominë e gjerë janë thjesht të pallogaritshme. Për ta thënë troç, tregtia e vendit tonë do të ndalet” Pjesë nga letra e kompanive ajrore amerikane
Teknologjia 5G mund të çojë në anulimin ose shtyrjen e mbi 1100 fluturimeve në ditë duke prekur 100 mijë pasagjerë. Kompanitë telefonike Verizon dhe AT&T që kërkojnë vendosjen e antenave nuk kanë komentuar zhvillimet e fundit.