Amazon planifikon të fillojë të bëjë dërgesa me dronë deri në fund të vitit në një qytet të Kalifornisë, në Lockerford, ka njoftuar vetë gjiganti i tregtisë elektronike.
Rivali i shitjes me pakicë Walmart tashmë ofron shpërndarje me dron dhe në maj njoftoi rritjen e shërbimit, me një zgjerim në gjashtë shtete, deri në fund të vitit dhe një potencial për dërgimin e një milion paketave në vit. Klientët e Amazon në qytetin Lockeford, Kalifornia Veriore, do të jenë në gjendje të regjistrohen për dërgesë falas me dronët “Prime Air”, tha kompania në një postim.
Artikujt e transportueshëm nga ajri të porositur në faqen e internetit të shitësit me pakicë do të paketohen dhe do të fluturojnë me drone në adresat e blerësve, duke i hedhur paketat jashtë nga lartësitë e sigurta dhe më pas do të fluturojnë serish ne destinacionet fillestare. Amazon thotë se ka krijuar një sistem të sofistikuar zbulimi për të lejuar dronët e saj të shmangin avionët, njerëzit, kafshët shtëpiake dhe pengesa të tjera. “Ne projektuam sistemin tonë të zbulimit për dy skenarë kryesorë, të jemi të sigurt në tranzit dhe të jemi të sigurt kur i afrohemi tokës,” tha kompania. Reagimet në Kaliforni do të përdoren për të zgjeruar shërbimin e dronëve.
Një sërë kompanish, duke filluar nga startup-et e reja deri te kompanitë e mëdha të teknologjisë si Alphabet, kompania mëmë e Google, po punojnë në shpërndarjen autonome të dronëve. Projekti i dronëve Alphabet Wing përfundoi dërgesat e tij të para në vitin 2014 në Australinë rurale, ku transportoi me sukses furnizimet e ndihmës së parë, çokollata, ushqime për qentë dhe ujë për fermerët, sipas faqes së internetit të agjencisë.
Dy vjet më vonë, dronët Wing u përdorën për të shpërndarë sanduicë tek studentët në një universitet të Virxhinias./ansa