Xabi Alonso thyen heshtjen, flet për herë të parë për refuzimin e ofertës së Liverpoolit

Xabi Alonso ka folur për ofertën që pati nga Liverpooli për herë të parë që prej se “Të Kuqtë” emëruan në stol Arne Slot.

Pasi spanjolli e bëri të ditur vendimin e tij për të qëndruar tek Bayer Leverkuseni në muajin mars, Liverpooli u detyrua që të shikojë alternativa të tjera.

Pas disa muajsh spekulimesh, u konfirmua se Slot do të bëhej trajneri i ri i ekipit, duke nisur punën tek klubi anglez që nga data 1 qershor.

Në një intervistë për CNN, Alonso foli në lidhje me raportimet e mëhershme se ai do të marrë “frenat” e Liverpoolit.

“Natyrisht, lidhja ime me Liverpoolin është ende aty. Kështu që jo, nuk pati ndonjë problem në atë drejtim”, ka thënë fillimisht Alonso.

Kur u pyet nëse kishte pasur bisedime me Liverpoolin, Alonso dha një përgjigje të drejtpërdrejtë.

“Kjo temë mbetet prapa perdeve”, u shpreh tekniku spanjoll, duke lënë të dyshohet se ka pasur kontakte mes dy palëve.

Alonso e udhëhoqi Leverkusenin drejt një sezoni të mrekullueshëm të cilin e përfunduan si të pamposhtur në Bundesliga, duke u shpallur kështu në fund kampion.

“Aspirinat” gjithashtu fituan edhe Kupën e Gjermanisë, por u mposhtën nga Atalanta në finalen e Ligës së Evropës.

“Ky është futbolli. Të përballemi me humbjen është pjesë e punës tonë. Nuk është hera e parë dhe nuk do të jetë as e fundit”.

“Unë jam shumë i sigurt se kam intuitën që ndeshja me Atalantën do të më bëjë një trajner më të mirë, më të mirë se sa nëse do të kishim fituar tripletën”, përfundoi Alonso. /Telegrafi/


Shtuar 4.06.2024 16:05