Italia e fitoi Kampionatin Evropian të Futbollit për herë të dytë në histori dhe për herë të parë pas 53 vjetësh.
Në finale italianët triumfuan ndaj Anglisë, pas penalltive, 3:2. Koha e rregullt dhe vazhdimet u mbyllën 1:1.
UEFA ka zgjedhur më të mirin e “Euro 2020”, si dhe ka publikuar statistikat individuale dhe ekipore ku dominojnë italianët.
Portieri i Italisë, Gigi Donnarumma, është shpallur lojtari i Evropianit, ndërkohë futbollisti më i mirë i finales ishte Leonardo Bonucci.
Cristiano Ronaldo i Portugalisë e ka rrëmbyer titullin e golashënuesit më të mirë me 5 gola.
Portugezi kishte edhe një asistim, i cili bëri që ai të marrë “Këpucën e Artë” para Patrik Schikut të Çekisë, që po ashtu kishte 5 gola. Por Schick nuk kishte asistim.
Ronaldo theu disa rekorde. 36-vjeçari preku shifrën e 109 golave me Portugalinë, duke e barazuar rekordin me Ali Daei të Iranit për gola me përfaqësuese.
Po ashtu Ronaldo është shënuesi më i mirë në histori të Kampionateve Evropiane me 14 gola të realizuara.
Asistuesi më i mirë i Evropianit është Steven Zuberi i Zvicrës me katër asistime.
Në 51 ndeshje të luajtura në “Euro 2020”, në 11 qytete të ndryshme evropiane, janë shënuar 142 gola, më së shumti në një Evropian.
2.79 ishte mesatarja e golave për ndeshje. Çdo 32 minuta është shënuar nga një gol.
Periudha kur janë shënuar më së shumti gola ka qenë nga minuta 46 deri në minutën e 60-të, gjithsej 30 gola.
Tetë ndeshje shkuan në vazhdime, prej tyre katër u vendosen pas gjuajtjes së penalltive.
Italia dhe Spanja kanë shënuar nga 13 gola, më së shumti në “Euro 2020”.
Spanja ka qenë përfaqësuesja që e ka pasur posedim më të madh se çdo ekip tjetër.
66.8 për qind ishte mesatarja e posedimit të topit nga spanjollët.
Kampionia e Evropës, Italia, është ekipi që ka tentuar më së shumti të shënojë.
Italianët provuan të realizojnë 128 herë, por ia dolën vetëm 13 herë.
Futbollistët e Italisë patën 99 ndërhyrje të sakta derisa rikuperuan 291 topa.
Portieri Yann Summer i Zvicrës bëri 21 pritje, më shumë se çdo portier tjetër.
Marco Verratti ishte lojtari me më së shumti ndërhyrje të sakta. Mesfushori i Italisë ndërhyri saktë 30 herë.
Më së shumti topa të rikuperuar kanë Manuel Akanji i Zvicrës dhe Jorginho i Italisë. Të dy patën nga 46 topa të rikuperuar.
Jorginho i Italisë vrapoi më së shumti në Evropian. Mesfushori italian vrapoi 86.6 km.
Më së shumti goditje brenda kornizës kishin Patrik Schiku i Çekisë dhe Alvaro Morata i Spanjës. Të dy goditen nga nëntë herë. Shichiku shënoi pesë gola, kurse Morata tri.
Leonardo Spinazzola i Italisë dhe Loic Nego i Hungarisë kanë vrapuar më së shpejti në “Euro 2020”.
Të dy kanë arritur shpejtësinë prej 33.8 km/h.
Kjo ngjarje e madhe e futbollit do të kujtohet edhe për problemet me zemër që i pati futbollisti i Danimarkës, Christian Eriksen, i cili falë intervenimit të stafit mjekësor ia doli që të shpëtonte.
“Euro 2020” për herë të parë u mbajt në 11 qytete të ndryshme. Ky Evropian u organizua me një vit vonesë shkaku i pandemisë.
Për herë të parë në një Evropian u përdor edhe sistemi VAR. Derisa u luajt me numër të kufizuar të shikueseve për shkak të masave anti-Covid-19.