Video e momentit kur babai i Cristian Shpendit goditi portierin e Olbias mbrëmjen e djeshme bëri xhiron në rrjet. Babai i talentit të Shqipërisë u21, u fut në fushë pas përfundimit të ndeshjes Cesena-Olbia dhe goditi me grusht Filippo Rinaldin, portierin e Olbias.
Pikërisht për këtë gjest të kryer, është vetë Liman Shpendi që ka folur për “Rai”. Babai i sulmuesit shqiptar që ka kërkuar ndjesë për veprimin e tij, duke thënë se u “çmend” kur e pa Cristianin të shtrirë në fushë.
“I kërkoj falje të gjithëve, gjithë Italisë dhe klubit të Cesenas për gjestin tim të tmerrshëm. E di që kam zhgënjyer shumë njerëz dhe për këtë arsye kërkoj falje njëqind mijë herë. E pashë djalin tim në tokë të gjakosur dhe lojtarin tjetër duke e goditur. Për këtë si baba u çmenda, por absolutisht nuk godita askënd”, është shprehur Liman Shpendi ose siç njihet me emrin Alex.
Megjithatë, Shpendi është thirrur mëngjesin e sotëm në komisariatin e Cesenas. /newsport.al/