Arbitri irlandez Robert Hennessy është vënë në qendër të kritikave pas humbjes 2-1 të Shqipërisë ndaj Finlandës, në ndeshjen e vlefshme për raundin e tretë të Ligës së Kombeve, Liga C.
Të lidhura
None found
Vendimi më i diskutuar ishte mosakordimi i një penalltie për kuqezinjtë pas ndërhyrjes ndaj Myrto Uzunit brenda zonës. Sipas analizës së takimit, problematik ishte edhe mënyra se si gjyqtari menaxhoi situatat dhe standardin e faulleve për të dyja skuadrat.
Eksperti i moviolës, Klajdi Kola, ishte i ftuar në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH, ku analizoi paraqitjen e arbitrit dhe përcaktoi vlerësimin e tij. Kola i vendosi gjykimit notën 7.6, një shifër që shkaktoi habi te moderatori Kristo Thoma.
Pjesë nga diskutimi:
Kristo Thoma: Le të ndalemi te analiza e moviolës. Klajdi, më thuaj vetëm notën që i jep arbitrit.
Klajdi Kola: Nuk mund të konsiderohet një notë kaluese. Përveç dy episodeve kryesore, problemi më i madh ishte administrimi i ndeshjes dhe mënyra e ndryshme e vlerësimit të faulleve ndaj dy ekipeve.
Kristo Thoma: Në rregull, por shprehe me një shifër. Sa është nota?
Klajdi Kola: 7.6, në aspektin teknik.
Kristo Thoma: 7.6?
Klajdi Kola: Po, sepse vlerësimi fillestar për arbitrin është 8.4. Një gabim i qartë dhe i dukshëm sjell zbritje me 0.5 pikë.
Kristo Thoma: Pra, 7.6 konsiderohet një notë e dobët?
Klajdi Kola: Me 7.6, arbitri rrezikon të qëndrojë tre muaj pushim.
Kristo Thoma: Po si përkthehet kjo në sistemin tjetër të notimit?
Klajdi Kola: Konvertohet në 5.
