Silvinjo: Dy ndeshjet e fundit të vështira, ja gjendja e Nedim Bajramit

Shqipëria ka dhe dy ndeshje të fundit, por për kombëtarën shqiptare janë si finale. Njëra mdeshje është përballë Moldavisë më 17 nëntor në transfertë dhe tri ditë më vonë me Ishujt Faroe në “Air Albania” për të shkuar në Europianin “Gjermani 2024”. Ditën e sotmë trajneri Silvinjo ka folur në konferencën për shtyp për këto dy përballje dhe gjithashtu për lojtarët e grumbulluar.

Pjesë e objektivit ishte të arrinim në nëntor me mundësinë e kualifikimit. Jemi këtu, e kemi një mundësi dhe ne me njerëzit, mbështetjen që na japin, jemi të lumtur deri këtu. Por objektivi është të shkojmë në Europian, objektivi është ai. Ne duhet të përqendrohemi në një objektiv që mund të jetë i rëndësishëm për të gjithë. Është një ëndërr që të gjithë e jetojnë, të gjithë prej rreth 10 muajsh. Na mungon një pjesë e rëndësishme, po përgatitemi për një ndeshje të vështirë, të dyja janë të rëndësishme. Ishujt Faroe janë më të vështira.

Çelësi i suksesit? Mendoj se vendimtare është se kur punohet në futboll, duhet të kenë të gjithë besim, e para janë lojtarët, që vijnë dhe e mendojnë. Ndeshja e parë ishte transferta aspak e lehtë në Varshavë dhe kuptuan idenë e asaj që mund të bënin. Por merita është e të gjithëve, veçanërisht e lojtarëve që kuptuan idenë, dhanë këtë futboll me zemër dhe shpirt. Se nuk është vetëm sport se ata përfaqësojnë njerëzit, e kanë kuptuar menjëherë dhe jemi këtu se e kanë kuptuar dhe kanë mbështetjen e njerëzve.

E ardhmja ime? Jetojmë të gjithë bashkë një moment shumë të bukur, por e kujtoj gjithmonë që mungon një pjesë e rëndësishme. Por në mendjen tonë është ndeshja dhe nuk ia dalim të mendojmë për gjë tjetër. Ne duhet të bëjmë çdo sforco të rëndësishme që të shkojmë në Europian, që është e mirë për Federatën, lojtarët, vendin. Mendja është vetëm aty, pastaj jeta e trajnerit nuk është e thjeshtë, por janë gjëra që ndodhin, janë më vonë. Mendoj se mund të bëj si trajner. Mendja është këtu, jemi të lumtur, kemi mbështetjen e federatës e vendit. Kjo nuk të lejon të mendosh gjë tjetër. Kam qenë këtu 4 javë radhazi në fillim, më ka mundësuar që të shkoj edhe të takoj lojtarë që nuk ishin të gatshëm. Për të kuptuar gjithçka, mendja është këtu.

Bajrami? Bajrami ishte në pankinë, nuk ka luajtur. Edhe herën e kaluar ka luajtur 23 minuta. Nedimi është në rregull, e kam dëgjuar, e monitorojmë, nuk ka probleme. Është e vështirë që kur është në pankinë, të bësh komente se ai ka trajner e staf. Por ai është mirë, i shëndetshëm dhe nesër do të bashkohet me ne./albeu.com

 


Shtuar 11.11.2023 13:39