Kryetari dhe anëtari i shoqatës KF Erzeni janë vënë nën hetim nga policia pasi akuzohen se kanë marrë pjesë në mbledhje në emër të shoqatës së klubit pa lejen e drejtuesve të Bashkisë së Shijakut.
Blutë bëjnë me dije se ndaj tyre rëndojnë akuzat për veprat penale penale “Mashtrimi”, “Shpërdorimi i kompetencave” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale.
“Shpërdoruan detyrën dhe kompetencat, procedohen penalisht kryetari dhe anëtari i shoqatës KF Erzeni. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar Durrës proceduan penalisht shtetasit M. Sh., me detyrë kryetari i shoqatës së Klubit të Futbollit Erzeni dhe F. D., anëtar i shoqatës së Klubit të Futbollit Erzeni, për veprat penale “Mashtrimi”, “Shpërdorimi i kompetencave” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Për këta shtetas është bërë kallëzim nga ana e Drejtorisë së Shumë Sporteve në Bashkinë Shijak, se dyshohet që shtetasit M. Sh. dhe F. D., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shpërdoruar detyrën dhe kompetencat, duke përfaqësuar shoqatën e Klubit të Futbollit, në mbledhje dhe votime, pa lejen e drejtuesve të bashkisë Shijak. Materialet i kaluan Prokurorisë së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale”, njofton policia.