Shkëmbi: Merkaton nuk e shohim si shpëtim, gabuam sërish para porte

Dinamo nuk ia doli të fitonte kundër Vllaznisë dhe sërish mbetet afër zonës së ftohtë në tabelën e klasifikimit. Trajneri Bledi Shkëmbi foli në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport:

“Sot ndryshe ishte dëshira, impenjimi dhe kryesorja përqendrimi i lojtarëve. Pjesë e parë goxha e mirë, patëm rastet, por për fat të keq vazhdojmë të gabojmë raste të pastra. Ndoshta zëvendësimet duhet të bënin pak më mirë, por është një barazim që do na bëjë mirë në anën psikologjike”.

“Jemi disa lojtarë më shumë, por vazhdojmë të kemi probleme. Maliqi dhe Bardhi nuk janë në kondicionin maksimal. Reaguam mirë në pjesën e parë, skuadra u përgjigj mirë.

“Kemi pësuar kaq shumë gola me portierë kaq të mirë? Kanë qenë më të mirë sulmuesit… Përtej shakave, komplimente Simonit. Ne e dimë që kemi një xhevahir në portë. Ishte shansi i Simonit, njësoj si Bakaj pati shansin e tij pas dëmtimit të Harizajt. Më vjen mirë që një 17-vjeçar bën shumë mirë në portë, ai nuk e ndjeu aspak presionin, aq më tepër në këtë moment të vështirë për ne”.

“Duhet të jemi më të duruar, por më e mira do ishte të ecnin paralel rezultatet e pozitive dhe aktivizimi i të rinjve. Klubi beson shumë te lojtarët e rinj, do vazhdojmë në këtë linjë.

“Një gjuajtje në kuadrat? Nuk mendoj se e zgjidh merkato. Nuk e mendojmë merkaton si shpëtim. Ndoshta mund të na forcojë në ndonjë repart. Kemi raste, por nuk godasim. Ndikon cilësia, qetësia dhe presioni që kemi për të fituar një ndeshje, pasi, për fat të keq, nuk po e bëjmë mirë këtë pjesë.

“Ibraimi në sulm? Sulmuesit që kanë pasur rastin dhe shansin, nuk e kanë bërë siç duhet. Ibraimi na jep më shumë qetësi me veprimet e tij teknike, është lojtar i sigurt për të mos humbur topin, kemi vuajtur në këtë pjesë. Ndoshta do të vertikalizonim pa pikë referimi, ashtu siç bëri Bardhi disa herë. Nuk bëmë mirë, nuk doli siç e kishim përgatitur”, tha Shkëmbi.


Shtuar 17.12.2021 22:31