Pas vendimit të marrë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ka reaguar përmes një deklarate me shkrim drejtuar mediave.
Të lidhura
None found
Sipas tij, vendimi ka sjellë hidhërim të thellë, duke rikthyer njëkohësisht ndjesinë e padrejtësive historike.
Gjergji deklaroi se vendimi i Dhomave të Specializuara dëshmon edhe një herë se “kalvari” i padrejtësive historike nuk ka përfunduar. Ai theksoi se në këto rrethana mbetet domosdoshmëri bashkimi për ta bindur drejtësinë që të tregohet e drejtë ndaj shqiptarëve.
Ipeshkvi kërkoi që dhimbja të mos mbizotërojë mbi arsyen dhe që zemërimi të mos e dobësojë urtinë.
Ai vlerësoi se reagimet duhet të karakterizohen nga maturia, paqja dhe përgjegjësia, ndërsa kundërshtimi i vendimit duhet të ndiqet nëpërmjet mekanizmave juridikë dhe institucionalë.
Sipas Gjergjit, zemërimi i një populli mund të kuptohet vetëm kur ai kthehet në energji për kërkimin e së vërtetës dhe të drejtësisë.
Institucioneve dhe klasës politike të Kosovës, ai u kërkoi të veprojnë me përgjegjësi dhe në mënyrë të bashkërenduar.
Gjergji nënvizoi se dallimet duhet të kapërcehen sa herë që cenohen liria, dinjiteti dhe kujtesa historike e popullit.
Ai bëri thirrje për bashkim kombëtar rreth së vërtetës, dinjitetit dhe përgjegjësisë për të ardhmen. Sipas tij, kështu mund të mbrohet pastërtia e përpjekjes së popullit për liri, të fuqizohen miqësitë me ata që qëndruan pranë në ditët më të vështira dhe të rikthehet besimi i dëmtuar pas çlirimit.
Ipeshkvi theksoi gjithashtu nevojën që Kosova të vazhdojë t’i ruajë raportet miqësore me shtetet që e mbështetën gjatë luftës, si dhe të punojë për rindërtimin e besimit të lënduar pas çlirimit.
Duke folur për rolin e Kishës, Gjergji tha se ajo nuk mund të marrë përsipër gjykimin e njerëzve apo të drejtësisë, por njëkohësisht nuk mund të qëndrojë e heshtur përballë kësaj situate.
Ai u shpreh se detyrë e përbashkët është kërkimi i së vërtetës pa urrejtje, i drejtësisë pa hakmarrje dhe i pajtimit pa harruar atë që është e drejtë.
Në përfundim, Gjergji deklaroi se Kosovës nuk i nevojitet më shumë zhurmë, por urtësi, unitet, qëndrueshmëri dhe besim.
Më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë dënoi në shkallën e parë ish-presidentin Hashim Thaçi me 25 vjet, Jakup Krasniqin me 25 vjet, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet.
