Union Berlini u largua nga transferta ndaj Bayern Munichut me një disfatë të thellë 7-0, në takimin e xhiros së katërt të Bundesligës. Pas këtij debakli, klubi gjerman iu drejtua rrjeteve sociale për të ironizuar yllin e Barcelonës, Lamine Yamal.
Përmes një postimi me tone humori, Unioni pyeti se përse talenti i ri nuk kishte zgjedhur të “heshte thjesht”. Klubi nënvizoi se Harry Kane dhe Michael Olise, ashtu si Yamal kishte deklaruar më herët, treguan se janë kandidatë për Topin e Artë.
Të lidhura
None found
“A nuk mund ta mbante gojën mbyllur ai shakaxhi 19-vjeçar nga Barcelona? Kane dhe Olise janë në një formë të jashtëzakonshme sot dhe po dëshmojnë se janë favoritë për Topin e Artë”, shkroi klubi gjerman pasi pësoi golin e shtatë.
Ky reagim u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale, ndonëse në fushën e “Allianz Arena” skuadra nga Berlini nuk pati asnjë arsye për të buzëqeshur.
Ekipi bavarez i drejtuar nga Vincent Kompany vendosi kontrollin e plotë mbi ndeshjen që në minutat e para. Serinë e realizimeve e nisi Jamal Musiala në minutën e 18-të, i shërbyer nga Alphonso Davies. Më pas, Harry Kane shënoi nga pika e bardhë për rezultatin 2-0, ndërsa Michael Olise realizoi golin e tretë përpara pushimit.
Epërsia e Bayernit u bë edhe më e thellë në pjesën e dytë. Kane realizoi për herë të dytë në minutën e 54-t dhe njëkohësisht arriti kuotën jubilare të 100 golave në Bundesligë.
Sulmuesit anglez iu deshën vetëm 98 paraqitje për të mbërritur te kjo shifër, duke rrëzuar rekordin e mëparshëm të Dieter Müller, i cili kishte shënuar 100 gola pas 129 ndeshjesh.
Në minutën e 70-të, emri i Ismael Saibarit u shtua në listën e realizuesve. Ndërkohë, Olise regjistroi het-trikun e parë të karrierës dhe përcaktoi rezultatin përfundimtar 7-0.
