Pasi shënoi 500 gola në karrierë, Luis Suarez dëshironte ta festonte këtë moment historik me një postim të veçantë në Twitter dhe Instagram.
Një letër e shkruar në tri gjuhë të ndryshme (Holandisht, Anglisht dhe Spanjisht), si tri stacione themelorë të karrierës së tij.
Ai ka rezervuar disa rreshta për çdo klub, në të cilin ka luajtur; që nga Nacional tek Atletico Madrid, pa harruar Uruguain e tij të dashur.
Sidoqoftë, pasazhet më emocionuese janë ato të rezervuara për tifozët, me të cilët ëndërron të gëzojë përsëri në golat që do të vijnë.
Ja teksti i plotë i letrës së Suarez:
“500 gola dhe madje edhe më shumë kujtime. Gjithçka filloi në Uruguai. Kur bëra debutimin profesional me ekipin tim të ëndrrave si fëmijë mendova se nuk mund të bëhej më mirë se kaq. Pastaj fituam kampionatin. Unë isha gati për hapin tjetër.
Duke lëvizur përpara, në Europë, vetëm 19 vjeç, ishte një hap i madh. Unë nuk mund ta kisha bërë këtë pa besimin dhe mbështetjen e njerëzve të Groningen, klubit dhe tifozëve. Amsterdami më bëri ai që jam. Vështirë se mund të gjesh një vend më të mirë për të mësuar dhe rritur si lojtar. Të jesh kapiten i një ekipi të tillë mbetet një nga momentet më të mira të karrierës sime.
Pastaj Liverpool, ishte etapë e veçantë. Lidhja me tifozët më frymëzoi të marr përsipër sfidën e të luajturit në një ligë kaq konkurruese. Qyteti fantastik i Barcelonës, aty më pritën krahëhapur. E gjeta veten duke luajtur me futbollistët më të mirë në botë dhe duke pushtuar Europën.
Çfarë mund të kërkoja më shumë? Tani jam tek Atletico Madrid dhe më pëlqen të luftoj fort për këtë klub. Dua të shënoj shumë gola këtu dhe mezi pres që spektatorët të kthehen, të festojmë së bashku. Përveç gjithë kësaj, përfaqësimi i vendit tim në skenat më të mëdha ka qenë gjithmonë nderi më i madh. Ndoshta nuk e dini këtë, por keni luajtur rolin tuaj në çdo gol që kam shënuar deri më tani. Dhe sot ju falënderoj. Falënderoj çdo tifoz të vetëm që ka mbështetur ekipet e mia gjatë viteve, nga Montevideo në Madrid, nga 0 gola deri në 500. Edhe më gjerë”.