Wayne Rooney mendon se Manchester City duhet të marrë një dënim të rëndë nëse shpallet fajtor përfundimisht për shkeljet financiare të pretenduara nga Liga Premier.
Të lidhura
None found
Gjatë podcastit “Stick to United”, ish-sulmuesi i Manchester Unitedit ka deklaruar se nuk do ta dëshironte titullin e sezonit 2011/12, edhe nëse Manchester City do ta humbiste atë si pasojë e sanksioneve. Në atë edicion, Manchester Unitedi e mbylli kampionatin në vendin e dytë, pas rivalit të tij lokal.
Rooney ka sqaruar se nuk do të ndihej mirë nëse do t’i jepej një tjetër medalje e Ligës Premier, pasi, sipas tij, Unitedi nuk kishte bërë sa duhej për ta merituar atë trofe.
Megjithatë, ai ka shfaqur solidaritet me lojtarët e Manchester Cityt, duke theksuar se futbollistët mund të mos kenë qenë në dijeni për veprimet që po zhvilloheshin në strukturat drejtuese të klubit.
Sipas ish-kapitenit të Anglisë, lojtarët e Cityt kishin dhënë maksimumin në fushë dhe e kishin fituar titullin me bindjen se gjithçka ishte e rregullt. Rooney ka shtuar se do të ishte “absolutisht i shkatërruar” nëse medaljet do t’i hiqeshin, në rast se Manchester Unitedi do të kishte vepruar në të njëjtën mënyrë pa dijeninë e tij.
Pavarësisht kësaj, Rooney beson se Manchester City duhet të përballet me masa shumë më të ashpra nëse vendimi përfundimtar vërteton akuzat për shkelje.
“Mendoj se do ta shohim Man Cityn të bjerë nga kategoria. Nuk e di saktësisht se si do të shkojë puna, por besoj se do të bjerë nga kategoria”, ka deklaruar ai.
Rooney ka propozuar që klubi të zbresë edhe më poshtë se Championshipi dhe të përballet me kufizime të forta financiare për tre ose katër sezonet e ardhshme. Ai ka argumentuar se një zbritje vetëm në Championship do t’i mundësonte Cityt të rikthehej menjëherë në nivelet e larta.
Si masë shtesë, ish-futbollisti ka sugjeruar edhe heqjen e pikëve për disa sezone, me qëllim që Manchester City të mos kthehet shpejt në nivelin ku ndodhet aktualisht.
“Do të zgjidhja ndëshkimin më të ashpër të mundshëm”, ka përfunduar Rooney.
