Një 24-vjeçar nga Amsterdami është arrestuar nga policia holandeze, pasi dyshohet se ka pasur lidhje me grupin ndërkombëtar të krimit kibernetik ShinyHunters, i cili pretendon se ka siguruar të dhëna të ndjeshme të rreth 38 mijë punonjësve të FBI-së.
Të lidhura
None found
Autoritetet në Holandë bënë të ditur se arrestimi u krye më 15 shtator dhe se i dyshuari vijon të mbahet në paraburgim. Operacioni ndodhi përpara sulmit të dyshuar ndaj sistemeve të FBI-së, të raportuar më 21 shtator.
Hetuesit dyshojnë gjithashtu se 24-vjeçari ka tentuar të nxisë realizimin e dy vrasjeve jashtë Holandës. Gjatë kontrollit të pajisjeve të tij elektronike, ata gjetën një sasi të konsiderueshme informacioni, mes të cilit edhe të dhëna që lidhen me dy vrasje të dyshuara që do të kryheshin jashtë vendit.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, shprehu mirënjohje për autoritetet holandeze dhe deklaroi se ekipet amerikane po punojnë me partnerët ndërkombëtarë për të ndjekur pista të tjera të hetimit.
Ndihmësdrejtori i FBI-së për hetimet kibernetike, Brett Leatherman, u kërkoi ndërkohë pjesëtarëve të ShinyHunters të dorëzohen. Policia holandeze ka lënë të hapur mundësinë e arrestimeve të tjera gjatë hetimeve.
Javën e kaluar, ShinyHunters deklaroi se kishte depërtuar në sistemet e FBI-së dhe se kishte marrë të dhëna personale të rreth 38 mijë punonjësve të agjencisë.
Grupi pretendoi se të dhënat përfshinin emrat, pozicionet, numrat e identifikimit, adresat e banimit dhe numrat e telefonit të agjentëve.
Sipas ShinyHunters, hyrja në sistemet e FBI-së ishte realizuar më 21 shtator. Një ditë më pas, grupi nisi t’u dërgonte gazetarëve mostra dhe pamje ekrani të informacionit që pretendonte se kishte vjedhur.
ShinyHunters ka deklaruar se për sulmin shfrytëzoi një dobësi në sistemin cloud të Oracle, të përdorur nga FBI-ja, për të hyrë në disa prej sistemeve të agjencisë.
Ndër sistemet që grupi pretendon se janë prekur përfshihen FBIJOBS, i lidhur me kontrollet e të dhënave të punonjësve dhe aplikantëve, MedLink, ku ruhen të dhënat mjekësore të agjentëve, si dhe BICS, që përmban informacion hetimor.
