Presidenti argjentinas Javier Milei ka paralajmëruar se vendi i tij do të ndjekë rrugë ligjore kundër Mbretërisë së Bashkuar, nëse Londra nuk pezullon aktivitetet për kërkimin dhe nxjerrjen e naftës në brigjet e Ishujve Falkland.
Të lidhura
None found
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Milei i ka lënë qeverisë britanike dy javë kohë për të hequr dorë nga projekti “Sea Lion”, i zhvilluar nga një partneritet mes kompanive britanike dhe izraelite.
Sipas presidentit argjentinas, nëse kërkesa nuk zbatohet brenda këtij afati, ai ka urdhëruar Departamentin e Shtetit dhe grupet ligjore të nisin procedurat për arbitrazh ndërkombëtar ndaj Britanisë së Madhe. Milei e ka akuzuar Londrën për “plaçkitje të paligjshme të burimeve tona përmes projektit Sea Lion”.
Ai shtoi se, në rast se nuk ndalet ajo që e përshkroi si “shfrytëzim i paligjshëm” i zonës, Argjentina do t’i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare për Ligjin e Detit, e cila ndodhet në Hamburg.
Ndërkohë, kompanitë që marrin pjesë në projekt deklarojnë se veprojnë mbi bazën e licencave të vlefshme të miratuara nga autoritetet britanike, raportoi BBC.
Rezervat e fushës “Sea Lion”, e pozicionuar rreth 200 kilometra larg Ishujve Falkland, përllogariten në afro 1.7 miliardë fuçi naftë. Rockhopper Exploration, me bazë në Britani, dhe Navitas Petroleum nga Izraeli planifikojnë të fillojnë shpimet në këtë zonë brenda dy viteve.
Ky përplasje e re diplomatike ndodh në një periudhë kur mosmarrëveshjet mes Argjentinës dhe Britanisë për sovranitetin dhe statusin e Ishujve Falkland janë thelluar. Kanë kaluar më shumë se 40 vjet nga lufta e vitit 1982, kur forcat britanike e zmbrapsën pushtimin argjentinas të arkipelagut.
Gjatë një fjalimi javën e kaluar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Milei sulmoi ashpër Kombet e Bashkuara. Ai e quajti organizatën “të padobishme” dhe akuzoi disa zyrtarë të saj se u shërbejnë “parazitëve arrogantë që maskohen si burokratë me qëllime të mira”.
Sekretari Britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, iu përgjigj deklaratave të Mileit duke thënë se Argjentina “nuk ka kapacitetin” për t’i pushtuar ishujt me forcë.
Banorët e Ishujve Falkland shprehën mbështetje të qartë për vazhdimin e statusit të territorit britanik përtej detit në referendumin e vitit 2013. Në atë votim, 99.8% u shprehën pro, ndërsa vetëm tre persona votuan kundër.
