Interit i nevojitën 11 vjet për t’u ngjitur në krye të Serie A. Tani Interi përballet me atë që mund të jetë një rënie e shpejtë. E ardhmja dukej e ndritshme në muajin maj kur trajneri Antonio Conte e udhëhoqi Interin drejt titullit të parë të ligës që nga viti 2010, por klubi dhe tifozët mezi patën një shans për të shijuar lavdinë e tyre të përtërirë para se ajo të fillonte të shpërbëhej me shpejtësi. Vetëm tri ditë pas ndeshjes së fundit të sezonit, Conte u largua nga Interi me pëlqimin e ndërsjellë mes raporteve se ishte i pakënaqur me vendimin e klubit për të shitur lojtarë në afatin kalimtar të verës për shkak të kufizimeve financiare.
Financat e Interit u goditën rëndë nga pandemia e koronavirusit, duke e detyruar klubin të marrë një hua të madhe nga një fond investimi amerikan dhe duke siguruar që menaxhmenti i klubit do të ketë nevojë të shkurtojë faturën e pagave dhe të bëjë një fitim të madh në tregun e transferimeve. Achraf Hakimi ishte lojtari i parë kyç që shkoi, duke u transferuar në Paris Saint-Germain për 60 milionë euro. Por frika më e keqe e tifozëve u konfirmua kur sulmuesi kryesor i Interit, belgu Romelu Lukaku, u shit te skuadra e Chelseat për 115 milionë euro.
Lukaku, i cili shënoi 30 gola sezonin e shkuar, ishte golashënuesi më i mirë i Interit në të dy sezonet e tij në klub dhe krijoi një partneritet fantastik me Lautaro Martinezin – i quajtur “LuLa” nga mediat italiane.
Forca goditëse e Interit në sulm për sezonin 2021 mund të fitojë emrin “LaXhe”, pasi klubi solli 35-vjeçarin Edin Xheko në një transferim falas nga Roma. Interi ka punuar shumë – dhe me çmim të ulët – në tregun e transferimeve me nënshkrime të tilla si Hakan Calhanoglut dhe Denzel Dumfriesit. Por kalibri i lojtarëve që ata kanë sjellë nuk është i njëjtë me ata që janë larguar.
“Synimet tona janë të njëjta si gjithmonë: të nderojmë fanellën dhe të sfidojmë trofetë. Historia e Interit e kërkon këtë: ky është një klub me një të kaluar të lavdishme dhe të suksesshme”, tha drejtori i përgjithshëm i Interit, Giuseppe Marotta. “Ne gjithashtu kemi për detyrë të nderojmë logon e titullit që bartim në fanellat tona. Kemi një sezon të madh përpara”.
Në zëvendësimin e Contes, megjithatë, Interi ka një trajner të ri mbresëlënës i cili di të nxjerrë më të mirën nga lojtarët e tij. Simone Inzaghi fitoi Kupën e Italisë dhe dy Superkupa të Italisë në pesë sezone në krye të skuadrës së Lazios, ku ai gjithashtu tregoi zell dhe vendosmëri të ngjashme si paraardhësi i tij tek Interi. Inzaghi i ka parasysh sfidat që e presin në sezonin e ri dhe thotë se është plotësisht gati.
“Unë jam këtu për të ndërtuar ekipin mbi dy vjetët e fundit, të cilat kulmuan me titullin e kampionit”, tha Inzaghi. “Ne duhet të jemi të qëndrueshëm dhe të besueshëm nëse duam të arrijmë objektivat që kemi vendosur vetë. Unë dua intensitet – një ekip që është gjithmonë plotësisht i fokusuar. Ekipet e forta reagojnë kur gjërat nuk shkojnë ashtu siç duan. Ekipet e mia kanë luajtur gjithmonë me intensitet deri në minutën e fundit”.
Afati kalimtar i verës ka qenë një periudhë ndryshime edhe te skuadrat e tjera në Serie A, gjithashtu. Ndryshime ka pasur edhe te Juventusi që sezonin e fundit është tronditur pasi nuk arriti ta fitonte titullin e kampionit për herë të parë që nga viti 2011. Juventusi përfundoi i katërti në tabelë dhe vetëm në xhiron e fundit siguroi këtë pozitë për të konfirmuar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve për sezonin e ri.
Edicioni 2020/21 ishte mjaft i trazuar për “Zonjën e Vjetër”. Kjo nxiti shkarkimin e trajnerit Andrea Pirlo dhe rikthimin e Massimiliano Allegrit, vetëm dy vjet pasi ai u largua nga ky post te Juventusi. Allegri fitoi pesë tituj rresht në Serie A me Juventusin, përfshirë edhe dy trofe të Kupës së Kosovës, si dhe dy herë arriti deri në finale të Ligës së Kampionëve. Riemërimi i 54-vjeçarit është një nga arsyet kryesore pse Juventusi e fillon sezonin si favorit për të fituar titullin e tij. Sezoni i ri në Serie A nis këtë vikend. Por ish-trajneri i Juventusit, Fabio Capello, beson se Cristiano Ronaldo dhe shokët e tij të skuadrës duhet të japin më të mirën nga vetja në sezonin e ri dhe të mos i atribuojnë ndonjë dështim trajnerit të tyre të tretë në tre vjet.
“Juventusi e nis edicionin si favoriti kryesor për ta fituar titullin e kampionit. Pritjet janë të gjitha për Allegrin dhe unë e them me pakujdesi: nuk do të jetë e lehtë të përsëritësh sukseset e punës së mëparshme”, pranoi Capello. “Max duhet të tregojë forcë dhe një goditje vendimtare. Unë nuk dua të shoh lojtarët që marrin kthimin e tij si një alibi për të shkarkuar përgjegjësinë nga vetja”.
Milani dhe Atalanta përfunduan në pozitën e dytë, përkatësisht të tretë në sezonin e shkuar dhe ka gjasa që edhe sezonin e ri të jenë kundërshtarë të fortë. Dhe sigurisht që sytë do të jenë drejt kryeqytetit italian. Maurizio Sarri ka zëvendësuar Inzaghin te Lazio, por fokusi do të jetë te skuadra e Romës dhe rikthimin e trajnerit portugez Jose Mourinho në futbollin italian. Mourinho në mënyrë të paharrueshme e udhëhoqi Interin drejt “tripletës” pak më shumë se një dekadë më parë gjatë punës së tij të vetme të mëparshme në Itali.
“Do të jetë kampionati i trajnerëve. Aty do të jenë Mourinho, Allegri, Inzaghi, Spalletti, Sarri”, tha Capello. “Besoj se edicioni i ri do të jetë shumë interesant dhe me padurim po e presim”.