Një mesazh mjaft i qartë, i cili paralajmëron një lëkundje të fortë në fund të sezonit. Mohamed Salah me shumë gjasa do të largohet nga Liverpool në qershor.
Egjiptiani e bëri të ditur këtë në fund të ndeshjes kundër Manchester United, në të cilën ishte protagonist absolut me një gol dhe dy asistime:
“Kam kaluar një verë të mirë dhe kam pasur shumë kohë të lirë për t’u përpjekur të qëndroj pozitiv. Siç e dini, ky është viti im i fundit në klub: thjesht dua ta shijoj dhe nuk dua të mendoj për të. Ndihem i lirë të luaj futboll dhe më pas do të shohim se çfarë do të ndodhë vitin e ardhshëm”.
“Askush në klub nuk më foli për kontratën, kështu që mendova: OK, do të luaj sezonin tim të fundit dhe do të shoh se çfarë do të ndodhë në fund, nuk varet nga unë, por askush nuk ka folur me mua nga klubi”.
Salah, kontrata e të cilit skadon më 30 qershor, është në Anfield që nga vera e vitit 2017, kur Liverpooli e bleu atë nga Roma. ‘Reds’ kanë refuzuar një ofertë me vlerë më shumë se 100 milionë stërlina të bërë nga Al Ittihad në fund të afatit kalimtar të verës 2023.