Cristiano Ronaldo ‘u hodh në sulm’ në drejtim të FIFA-s pasi ky institucion e shpalli Lionel Messin si futbollistin më të mirë në botë për vitin 2023, duke thënë se ‘ai nuk e ka parë ceremoninë’.
Ai e bëri këtë koment në një intervistë të dhënë së fundmi për mediumin portugez Record, ku ndër të tjerash foli edhe për planet e tij të pensionimit, jetën në Arabinë Saudite, kombëtaren e Portugalisë e shumëçka tjetër.
Gazetari i shtroi pyetjen se a i pengon Ronaldos fakti që Liga Saudite nuk vlerësohet shumë edhe për faktin që Messi u shpall më i miri, ndonëse ka një vit që është pjesë e Inter Miamit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Unë jam mësuar me këtë dhe tashëm e di se si këto organizata punojnë. Të jem i sinqertë, nuk e kam parë ceremoninë e ndarjes së çmimeve”, ka thënë Ronaldo fillimisht.
“Unë mendoj, se në një farë mënyrë këto çmime po e humbasin vlerën e tyre. Ne duhet të analizojmë tërë sezonin. Nuk është se po them që Messi nuk e ka merituar, ose Haaland ose Mbappe. Unë vetëm nuk besoj më në këto çmime dhe nuk është për shkak se fitova çmime nga ‘Globe Soccer’, por ky është një fakt, numrat janë aty dhe numrat nuk gënjejnë”, u shpreh portugezi.
Viti 2023 ishte jashtëzakonisht i mirë për Ronaldon, pasi ai e përmbylli atë si golashënuesi më i mirë në botë, pasi kishte shënuar 54 gola në 59 ndeshje në të gjitha garat për Al-Nassr dhe kombëtaren e Portugalisë.
Për të arritur këtë gjë, ai e mposhti konkurrencën e ashpër të yjeve tjerë si Harry Kane, Kylian Mbappe dhe Erling Haaland, të cilët që të gjithë përfunduan mbrapa tij./Telegrafi/