Izraeli dhe Irlanda, dy skuadrat që janë në të njëjtin grup me Kosovën në Ligën e Kombeve, janë përfshirë në tensione pas ndeshjes së zhvilluar të dielën në Debrecen, ku Irlanda fitoi me rezultatin 3-0.
Të lidhura
None found
Federata Irlandeze e Futbollit (FAI) ka nisur verifikimet lidhur me pretendimet se sulmuesi Adam Idah është fyer në mënyrë raciste nga një pjesë e tifozëve izraelitë.
Gjatë takimit, mesfushori irlandez Jayson Molumby u kërkoi arbitrave të reagonin ndaj thirrjeve që dëgjoheshin nga tribunat.
Pas përfundimit të ndeshjes, gjyqtarët deklaruan se nuk kishin dëgjuar thirrje raciste. Ndërkohë, UEFA nuk ka hapur një procedurë zyrtare, pasi gjatë sfidës nuk ishte aktivizuar protokolli për raportimin e incidenteve të kësaj natyre.
FAI po grumbullon pamje filmike dhe materiale audio nga ndeshja, me synimin për të përcaktuar nëse ekzistojnë prova për abuzim racist ndaj Idah.
Nëse pretendimet konfirmohen, federata irlandeze ka njoftuar se do t’ia dërgojë çështjen UEFA-s dhe do të kërkojë nisjen e një hetimi.
Tensionet mes dy përfaqësueseve ishin të pranishme edhe para fillimit të sfidës. Futbollistët e Irlandës nuk morën pjesë në përshëndetjen tradicionale me shtrëngim duarsh, ndërsa gjatë ekzekutimit të himnit izraelit qëndruan me kokën të ulur.
Ndeshja u luajt në Debrecen, stadium ku Izraeli po zhvillon ndeshjet si pritës. Përballja e kthimit mes dy ekipeve do të zhvillohet pa tifozë në Serbi, pasi Irlanda, për arsye sigurie, nuk dëshiron të luajë në Dublin.
Vetëm pak ditë më vonë, po në Debrecen, Izraeli do të presë Kosovën. Pas dy ndeshjeve të para të grupit, izraelitët nuk kanë grumbulluar asnjë pikë, ndërsa Kosova ka tri pikë.
Edhe Irlanda, pas suksesit 3-0 ndaj Izraelit, ka arritur në kuotën e tri pikëve dhe mbetet një prej rivaleve të drejtpërdrejta të Kosovës në këtë grup.
