Inter fitoi ditën e djeshme matematikisht titullin kampion numër 19 në historinë e tyre, teksa zikaltërit kanë qenë dominues në këtë sezon të Serisë A. Sapo erdhi edhe zyrtarizimi si kampion, në rrugët e Milanos nisi festa nga tifozët e Inter, ndërsa një festë origjinale nga ana e Romelu Lukakut mori vëmendjen e të gjithëve.
Sulmuesi që ka qenë vendimtar për Interin në këtë sezon, vendosi të bënte një xhiro me motor për të përshëdetur nga pranë tifozët. Belgu theksoi se për të ishte krenari që vesh fanellën e Inter, ndërsa shtoi se lumturia ishte e madhe pasi për shumë lojtarë ishte titulli i parë.
“Jam shumë i lumtur për të gjithë interistat në botë, për skuadrën, për trajnerin dhe stafin e tij, presidentin dhe gjithë të tjerët. Jam krenar që luaj për Inter, ka qenë një vit shumë i bukur për ne.
Xhiro nëpër rrugët e Milanos? Ishte momenti për të dalë dhe për të parë nga afër njerëzit, për shumë nga ne ishte titulli i parë dhe duhej festuar me njerëzit. Ky është viti më i mirë në karrierën time, shpresoj të vazhdojmë kështu. Jam i lumtur, dua t’i falenderoj të gjithë sepse ka qenë një sezon shumë i bukur”, u shpreh Lukaku.