Zvicra është në çerekfinale dhe kjo tejkalon kufijtë e një ndeshjeje futbolli. Kjo është një ese për bukurinë e lojës, për fitoret në fushë dhe zhurmën përreth saj; për një ëndërr që duhej të niste në Suedi, por mori formë në Basel; dhe për një koftor, pranë të cilit një fëmijë i vogël vraponte që të ngrohej.
Të lidhura
None found
Nesër, në orën 03:00 të mëngjesit, Zvicra përballet me Argjentinën në çerekfinalen e Kampionatit Botëror të Futbollit. Ky është një moment që zviceranët e kanë pritur plot 72 vjet, pasi hera e fundit kur arritën në këtë fazë ishte më 1954. Atëbotë bota dhe futbolli kishin tjetër pamje: ndeshjet dëgjoheshin në radio dhe televizori ishte luks i rrallë. Në Bern, Gjermania u shpall kampione pasi mposhti Hungarinë, triumf që i dha një shtysë të madhe shoqërisë gjermane dhe u pa si fillimi i mrekullisë ekonomike. Vetëm një dekadë më parë, Gjermania ndodhej mbi rrënojat e krimeve dhe shkatërrimeve të nazizmit. Në atë kohë, gratë në Zvicër ende nuk kishin të drejtë vote dhe as të drejtë kandidimi për poste politike. Suksesi historik i Zvicrës në vitin 2026 lidhet ngushtë edhe me rolin e madh të sportistëve me prejardhje nga trojet shqiptare, si Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Blerim Xhemaili, Admir Mehmedi e shumë të tjerë.
Fakti që Granit Xhaka erdhi në jetë në Basel ishte, në thelb, një rastësi. Prindërit e tij synonin të shpërnguleshin në Suedi, por gjatë rrugës ndalën për disa ditë te të afërmit në Basel, në metropolin e Zvicrës veriore, dhe përfundimisht qëndruan aty. Kur lindi Graniti, Xherdan Shaqiri pothuajse kishte mbushur një vit. I lindur në Gjilan, ai, si mijëra fëmijë të Kosovës në fillim të viteve 1990, u vendos në Zvicër pranë Baselit, aty ku i ati punonte si argat. Në fakt, fillimisht nuk kishte ardhur i vetëm, por më pas pjesa tjetër e familjes iu bashkua babait në Zvicër. Ata jetonin në një banesë të vogël, pa ngrohje qendrore, ku kishin vetëm një koftor. Në një intervistë, Xherdani ka treguar se shpeshherë, nga të ftohtit në banesë, vraponte sa andej këndej nëpër dhoma për t’u ngrohur. Ndoshta pikërisht aty, krahas mbështetjes së babait të tij, i cili ishte jashtëzakonisht i apasionuar pas futbollit, nisi edhe dëshira e tij për lojën.
Prania e futbollistëve me origjinë shqiptare në kombëtaren zvicerane nuk është pritur gjithmonë pa polemika. Një pjesë e tifozëve shqiptarë ua kanë marrë për të madhe që nuk zgjodhën Kosovën, edhe pse në kohën kur Xhaka dhe Shaqiri nisën karrierën profesionale, Kosova nuk ishte anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s. Të tjerë pretendojnë se ata mund të kishin zgjedhur Shqipërinë. Këto qortime janë të padrejta. Xhaka, Shaqiri dhe të tjerët janë rritur dhe janë formuar si futbollistë në Zvicër; ata janë jo vetëm shtetas zviceranë, por edhe dëshmi të qarta të integrimit në vendin që është atdheu i tyre. Kjo mund të mos u pëlqejë disa të nxehtëve mes shqiptarëve, por të luash për Zvicrën nuk të bën as më pak e, ndoshta, as më shumë patriot. Vetë Xhaka u shpreh këto ditë: “Është privilegj që pata mundësinë ta vesh këtë fanellë për herë të 150-të. Ky vend (Zvicra), në të cilin kam lindur dhe jam rritur, i ka dhënë shumë familjes sime. Shpresoj që kjo të mos mbetet ndeshja ime e fundit”.
Tensione, keqkuptime dhe mungesë durimi kanë ardhur edhe nga disa qarqe konservatore në Zvicër. Disa ende nuk e pranojnë se shoqëria ka ndryshuar, është bërë më e larmishme dhe se jo të gjithë lojtarët mund të kenë mbiemra si Meier dhe Müller. Shumë futbollistë me prejardhje të huaj janë përballur me përvoja jo të këndshme. Romelu Lukaku i Belgjikës ka thënë se kur luante mirë, quhej sulmues belg, ndërsa kur rezultatet mungonin, kthehej në një sulmues belg me origjinë kongoleze. Karim Benzema ka deklaruar: “Nëse shënoj, jam francez. Nëse nuk shënoj, jam arab”. Ndërsa Mesut Özil la këtë fjali: “Jam gjerman kur fitojmë, por jam emigrant kur humbasim”. (Özil përfundoi në prehrin e presidentit autokratik turk, nuk ishte vendimi më i mirë i jetës së tij).
Në vitin 2018, kur Zvicra e mundi Serbinë në Kaliningrad falë golave të Xhakës dhe Shaqirit, dy futbollistët me origjinë nga Kosova, të mbështetur edhe nga lojtarë të tjerë, formuan me gishta shqiponjën dykrenare. Mediat propagandistike serbe reaguan pa kontroll, duke përhapur gënjeshtrën se ky ishte një akt nacionalist. Fatkeqësisht, këtë narrativë e morën për të mirëqenë edhe disa media zvicerane. Megjithatë, kishte dhe ka gazetarë seriozë në Zvicër që nuk ranë në grackën e zhurmuesve nga Beogradi. Prapëseprapë, një pakicë publicistësh zviceranë vazhdon ta sulmojë Xhakën, sepse i pengon “mentaliteti” i tij kryengritës dhe ajo “afera me shqiponjë”. Nuk është rastësi që pikërisht ata publicistë që e godasin Xhakën janë edhe mbështetës të mëdhenj të Vladimir Putinit, Aleksandar Vuçiqit dhe kundërshtarë të ashpër të pavarësisë së Kosovës. Pavarësisht këtyre zërave, Granit Xhaka mbetet futbollisti më i mirë në historinë e Zvicrës. Një shqiptar i helvetizuar, pra i integruar, që hyn në çdo duel i pamëshirshëm dhe i uritur për sukses. Për kombëtaren e Zvicrës ai nuk kursen asgjë. Sonte, kur nata do të shndërrohet në ditë, përballë Argjentinës nuk do të luajë vetëm Zvicra, por edhe një pjesë e historisë së Kosovës.
Sipas gazetës “Tages Anzeiger”, 41 për qind e njerëzve që jetojnë në Zvicër kanë prejardhje të huaj. “Në kantonin e Zürichut kjo shifër është 47 për qind, ndërsa në Gjenevë arrin deri në 66 për qind”, shkruan kjo gazetë. A mund ta forcojë edhe më shumë unitetin në shoqërinë zvicerane suksesi i kombëtares? Pikërisht këtë pyetje “Tages Anzeiger” ia ka drejtuar Artan Islamajt. Ai është bashkëdrejtor i Institutit “Zvicra e Re” (Institut Neue Schweiz), i cili angazhohet për një Zvicër të larmishme. Sipas tij, atmosfera aktuale në vend është shumë e bukur, por ai nënvizon edhe diçka tjetër: “Pranimi i zviceranëve me prejardhje migrimi në Zvicër vazhdon të jetë ende i varur nga suksesi. Pjesë e shoqërisë bëhesh vetëm nëse sjell rezultate”.
Megjithatë, për momentin po dominojnë vetëm entuziazmi dhe gëzimi. Në shumë qytete, restoranteve u është lejuar të qëndrojnë hapur gjatë gjithë natës. Sonte, pak njerëz pritet të flenë në Zvicër. Nuk po ndihet ndarje mes Zvicrës gjermanofone dhe asaj frankofone, as mes qyteteve dhe fshatrave, e as mes emigrantëve dhe zviceranëve. Humoristi nga Zvicra frankofone, Charles Nouveau, i tha “Tages Anzeiger”: “E vetmja ndarje që ekziston ende në vend, është ajo midis atyre që zgjohen për ndeshjen dhe atyre që nuk shkojnë fare për të fjetur”. Kur zviceranët bëjnë shaka me veten, ata kujtojnë shkrimtarin Friedrich Dürrenmatt, i cili ka thënë: “Është bukur të lindësh zviceran; është bukur të vdesësh zviceran. Por çfarë bën ndërkohë? Përgjigjja ime është në mënyrën zvicerane. Këtë ndërkohë e kaloj me punë”. Sikur të ishte gjallë, ai ndoshta do ta ndryshonte këtë mendim, do të vishte fanellën e Zvicrës dhe do të valëviste një shall me kryq të kuq (ky ishte një test, sepse kryqi i flamurit të Zvicrës është i bardhë). Dürrenmatt ishte adhurues i madh i futbollit, sidomos i Neuchâtel Xamax, dhe ndeshjet i ndiqte nga tribuna me teleskop. Për të, futbolli nuk ishte thjesht sport, por një lloj teatri, ku fusha ishte skenë dhe lojtarët aktorë.
Përballë Zvicrës sonte, ose ndoshta nesër, janë argjentinasit. Dhe ja një shembull i aktrimit latinoamerikan. Më 22 qershor 1986, në stadiumin e futbollit të qytetit të Meksikos, Argjentina dhe Anglia u përplasën në çerekfinale. Katër vjet më herët, Argjentina kishte humbur luftën për ishujt Malvinas ose Falkland kundër Britanisë së Madhe. Ajo që ndodhi në minutën e 51-të hyri në histori dhe madje ka edhe një zë më vete në Wikipedia me titullin “Dora e Zotit”: Diego Maradona u soll sikur do ta godiste topin me kokë, por shënoi me dorë. Goli u pranua. Vetëm katër minuta më pas, ai tregoi gjenialitetin e tij. Mori topin dhe nisi një sllallom prej 60 metrash, thuajse si të ishte slloveni Bojan Krizhaj. Në librin humoristik “Gebrauchsanweisung für Argentinien” (Doracak për Argjentinën), gazetari gjerman Christian Thiele ka sjellë komentin e gazetarit sportiv argjentinas Víctor Hugo Morales për golin e dytë të Maradonës: “Tani ai mund të pasonte te Burruchaga, jo, përsëri Maradona, gjenial! gjenial! gjenial! ta-ta-ta-ta-ta-ta-ta… dhe gooooool… goooool… Dua të qaj! Zot i shenjtë! Rroftë futbolli! GOL I JASHTËZAKONSHËM! Diego! Maradona! Më vjen për të qarë, më falni. Maradona, në një vrapim të pabesueshëm, në aksionin më të mirë të të gjitha kohërave! Ti dragua kozmik, nga cili planet ke ardhur te ne?”
Por 1986-a është larg. Tani është viti 2026. A është Lionel Messi dragoi kozmik i Argjentinës dhe pasardhësi i denjë i Maradonës? Një gjë është e sigurt: çdo dragua mund të rrëzohet nën kthetrat e shqiponjës. Argjentinasit le të mburren sa të duan se konsumojnë më së shumti mish për banor, se kanë ujëvarat më të mëdha, akullnajën më të madhe, malin më të lartë jashtë Azisë në botë (Aconcagua, 6960 metra), rrugën më të gjerë në botë (Avenida 9 de Julio), si edhe rrugën më të gjatë në botë (Avenida Rivadavia).
Zvicra ka Xhakën. Ka edhe disa përparësi të tjera. Por edhe ky shkrim duhet të marrë fund. Ftohni birrat. “Hopp Schwiiz”./Telegrafi/
