Juventusi shpreson të rrëmbejë rinovimin e huazimit të tij “të rëndë” nga Atletico Madridi. Edhe vetë Morata po pret që situata të evoluojë në një mënyrë apo në një tjetër.
Vëmendja e sulmuesit spanjoll është, tani për tani, e gjitha tek Kampionati Europian, që prêt të startojë së shpejti. Sidoqoftë, bisedimet për të ardhmen e tij nuk mund të kalojnë pa u vërejtur, sikur asgjë nuk po ndodh.
Në intervistën dhënë për “Onda Cero”, Alvaro Morata nënvizon: “Nuk kisha frikë se do të lihesha jashtë kombëtares, sepse kam zhvilluar lojëra të mira dhe kam dhënë asiste më shumë se kurrë. Nëse nuk do të ishte VAR-i do të kisha 30 gola. Në ekipin kombëtar gjithnjë kam bërë mirë”.
Të luash përkrah Cristiano Ronaldos është gjithmonë një nxitje shtesë për t’u përmirësuar vazhdimisht: “Në mendjet tona ai është golashënuesi, sepse e dimë që nëse shënon Ronaldo, do të jemi më afër fitimit të titujve. Ai bën gjithçka për të fituar, nuk mendon për numra individualë. I tiji është një mentalitet prej çeliku, si Rafa Nadal. Është diçka që e admiroj dhe më pëlqen të luaj përkrah tij”.
Në fund, tema më e mprehtë, ajo e së ardhmes. Morata pranon tundimin e një përvoje të re me Diego Simeone: “Do të ishte mirë të stërvitesha nga Simeone përsëri. Unë nuk kam nevojë të zgjedh. Nëse do të më thoshin se kë preferon, do të jepja emrat e dy skuadrave: Atletico Madrid dhe Juventus. Nuk e di se çfarë do të ndodhë, do të luaj ku më duan më shumë”.