Laura Colturi arrin të kalojë në grupin e më të mirëve në Itali, ngjitet në vendin e katërt

Skiatorja Laura Colturi, ka arritur sërish të jetë në mes më të mirëve në garën e skive. Në fazën e dytë të Kupës së Botës që po mbahet në Itali, ajo arriti të ngjitet në vendin e katërt

Ajo ka befasuar sërish me një rezultat fantastik, duke vazhduar surprizën e saj nën statusin e “hirushes” së këtij edicioni të Kupës së Botës në moshën 18-vjeçare.

Në nisjen e parë në Kronplatz ajo u rendit në vendin e tetë, duke dhënë përshtypjen e një pozicioni përfundimtar brenda 10-es së parë.

Por surpriza erdhi në lëshimin e dytë dhe final ku skiatorja kuqezi, përmirësoi më tej kohën e saj duke e parë veten në vendin e katërt, ndërsa para saj qëndron kampionia e botës Lara Gud Berhami që garon për Zvicrën apo rivales së saj të drejtpërdrejtë, kroates Zrinka Ljutiç.

Në këtë formë ëndrra e saj vazhdon duke qenë tashmë konkurruese, ndërsa Shqipëria po renditet në krye të listës së këtij sporti.

Colturi e nisi me lojë të fortë vitin 2025 kur u rendit e dyta në garën e Sllovenisë, duke ngritur flamurin shqiptar në podium.

Edhe në nëntor, ajo preku vendin e dytë në pistën e Austrisë.

Vendimi për të përfaqësuar Shqipërinë erdhi në majin e 2022, kur ajo u pajis me pasaportë shqiptare.

Duket se gjithçka erdhi pas një krisje të marrëdhënieve mes federatës atje dhe prindërve të Colturi-t, që çoi në këtë vendim.


Shtuar 21.01.2025 15:40