KFOR-i ka sqaruar se autokolona e motorizuar e ushtrisë serbe, e cila u pa dy ditë më parë pranë kufirit me Kosovën, po zhvillonte një aktivitet të zakonshëm brenda territorit të Serbisë. Sipas misionit, kjo lëvizje nuk paraqet rrezik për sigurinë apo stabilitetin rajonal.
Të lidhura
None found
Misioni i NATO-s në Kosovë bëri të ditur gjithashtu se Forcat e Armatosura Serbe e kishin njoftuar paraprakisht për zhvillimin e një stërvitjeje të planifikuar në një distancë prej 30/40 kilometrash nga vija kufitare.
“Mund të konfirmojmë se KFOR-i u informua nga Forcat e Armatosura Serbe se do të kryenin një stërvitje të planifikuar tashmë (Povednik ’26), në afërsi të Vijës Kufitare Administrative (30/40 km). Ky është një aktivitet rutinë i kryer brenda territorit serb dhe nuk përbën kërcënim për sigurinë ose stabilitetin në rajon. Misioni KFOR i udhëhequr nga NATO vazhdon të monitorojë nga afër situatën përgjatë Vijës Kufitare Administrative dhe në të gjithë Kosovën, përmes patrullave dhe mjeteve të tjera, dhe është në komunikim të rregullt me institucionet në Kosovë, organizatat e sigurisë në Kosovë dhe Forcat e Armatosura Serbe”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për kp.
Pamjet e autokolonës së motorizuar serbe pranë fshatit Ribariq, afër kufirit me Kosovën, u shpërndanë në media dhe në rrjetet sociale më 14 shtator 2026. Publikimi i tyre ndodhi vetëm pak ditë përpara vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
