Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kritikoi ashpër qeverinë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, duke u fokusuar te çështja që ai e lidhi me biznesmenin Ron Yeffet.
Sipas Berishës, Aeroporti i Vlorës mund t’i jepet Yeffetit, ndërsa në këtë proces ai përmendi edhe Ardi Veliun dhe Ergys Agasin.
Të lidhura
None found
Berisha pretendoi se bëhet fjalë për një tjetër rast të përdorimit të parave publike, duke akuzuar qeverinë se blen mjete dhe më pas ia shet sërish shtetit. Ai e cilësoi këtë si një formë të rëndë vjedhjeje ndaj taksapaguesve.
Gjatë fjalës, kreu i PD-së ngriti edhe pretendime lidhur me blerjen e armëve. Ai deklaroi se armë të marra nga zona lufte, gjë që sipas tij ndalohet me ligj, janë sjellë në Shqipëri dhe janë paraqitur si prodhim i Veliut dhe Pucës.
Berisha foli edhe për largimet nga qeveria, duke thënë se Ergys Agasi ka ndikuar në shkarkimin e katër ministrave.
Sipas tij, një prej ministrave u largua pasi kundërshtoi vendimet e Agasit, ndërsa ministrja e Shëndetësisë iku sepse nuk pranoi të vidhte. Ai përmendi gjithashtu Içollarin dhe ministrin që e pasoi, për të cilin deklaroi se kishte lidhje me kartelet.
“Me paratë tona, të taksapaguesve, blihen mjetet dhe i shiten shtetit. Të jap paratë për t’i blerë dhe më pas t’i blej unë përsëri. A ka vjedhje më të turpshme se kjo? Blihen armë nga zonat e luftës, të ndaluara me ligje, sillen në Shqipëri dhe paraqiten si prodhim i Veliut dhe Pucës. Turp i paimagjinueshëm.
Yeffeti-Agasi, të huaj. A e dini se edhe Aeroportin e Vlorës do t’ia japin Yeffetit? Nuk ka mbetur investitor i huaj në Shqipëri. I përzënë një nga një, me mënyra si kjo e Yeffetit. Në tre arbitrazhe jemi me Behgjet Pacollin. Ai nuk ka dashur dhe nuk ka pasur dëshirë ta padisë Shqipërinë, por minimumi shkon në 600 mln. Tani del se do ta marrë Yeffeti me Ardi Veliun.
Këta i ka çmendur hajnia. Ministrja e Shëndetësisë iku, iku se nuk vodhi. Ky i rendit, Içollari, ia kisha thënë në parlament dhe e hoqi. Atë e hoqi Ergys Agasi, sepse kundërshtoi vendimet e tij. Ky tjetri që erdhi i ka rrënjët në kartele. Ergysi hoqi ministrin e katërt. Por këtë mirë ia bëri, se ishte Hiçollar”, deklaroi Berisha.
