I frymëzuar nga Mike Tyson, rrëfehet boksieri Amarildo Bakaj, i riu që sfidon djalin e Arkanit

Shqipëria kohët e fundit është duke nxjerrë lojtarë të talentuar në fushën e boksit.

Florian Marku, Luan Krasniqi, Ilir Latifi, Alban Beqiri, Kreshnik Qato etj, janë shumë emra në botën e boksit të cilët kanë bërë dhe po bëjnë bujë të madhe në ring.

Një “yll” i ri është duke shkëlqyer në qiellin e errët të botës së boksit. Ai është djaloshi 22-vjeçar nga Malësia e Madhe, Amarildo Bakaj. Po të shikoni videot e tij, do të habiteni se sa shpejtë i lëshon grushtat në drejtim të kundërshtarit apo në drejtimin e thesit të boksit. Zakonisht, boksierët njihen për grushta të fuqishëm, por Amarildo i ka të dyja, shpejtësi dhe forcë. Bakaj ka 43 ndeshje në boksin amator dhe 7 ndeshje në boksin profesionist, ku të 7-ta ndeshjet i ka të fituara me K.O.

Ai në moshën 14-vjeçare zgjodhi të emigrojë në drejtim të Gjermanisë për një jetë më të mirë dhe për të siguruar të ardhura për veten e tij dhe për familjen. Nuk zgjodhi rrugën e shkurtër e të errët, por zgjodhi sportin e boksit.

Në një intervistë ekskluzive për gazetarin e Abc News, Hergi Llupi, Amarildo ka rrëfyer ëndrrën e tij, idhullin e tij në sportin e boksit dhe jo vetëm.

Pse zgjodhe pikërisht boksin?

Boksin e zgjodha sepse është një nga sportet më të vështira, një sport që kërkon forcë, mentalitet dhe trimëri. Boksi është një sport burrëror dhe unë dua të provoj veten time se sa vlej këtu.

Cili është synimi yt në karrierën e boksit?

Synimi im është të fitoj titullin e kampionit të botës dhe të flas shqip midis ringut botëror. Dua të bëj krenar familjen dhe të gjithë shqiptarët.

Si është dita e Amarlidos?

Dita ime është sa e thjeshtë por edhe e zënë. Unë çohem herët në mëngjes, dal për vrap. Kur kthehem nga vrapi ushqehem shëndetshëm, pjesën e mbetur të ditës e kaloj me familjen time, dhe në dark realizoj stërvitjen time në palestrën e boksit. Kryej një stërvitje intensive, rreth 12 herë në javë.

A ke ndonjë boksier si shembull?

Sigurisht, çdokush ka një idhull në çdo sport të mundshëm. Idhulli im është Mike Tyson. Duke parë videot e tij, jam frymëzuar shumë dhe kam praktikuar gjithmonë stilin e tij. Deri më tani ka funksionuar duke më dhënë fitoret.

Çfarë mendon se të bën ty ndryshe nga boksierët e tjerë?

Nga boksierët e tjerë mendoj se më bën të jem ndryshe vetëbesimi dhe lidhja e madhe që kam me shqiptarët. Unë jetoj në Gjermani, rri me shqiptarë dhe në ring prezantohem si shqiptar, dhe për këtë gjë urrehem nga kombësitë e tjera. Por unë do të vazhdoj të mbaj mbi shpatulla flamurin e kombit tonë dhe asnjë shumë monetare nuk do të më ndryshonte mendjen që të përfaqësoja një komb tjetër, një shtet tjetër.

Për çfarë do që të mbahesh mend në fund të karrierës tënde?

Dua që emri im të shënohet në listën e kampionëve, dua të mbahem mend si një shembull dhe frymëzim për të gjithë rininë shqiptare që merret apo do të merret me boksin.

Supozojmë se ke vetëm një ndeshje, kë do zgjidhje si kundërshtar?

Nëse unë do të kisha vetëm një ndeshje të mbetur në karrierën time, do të zgjidhja djalin e Arkanit, Veljko Ražnatović.

I kam kërkuar shumë herë të bëjë një ndeshje me mua, menaxherët që kam unë i kanë telefonuar disa herë dhe i kanë bërë oferta të ndryshme por ai se ka pranuar asnjëherë të ndeshet./

 


Shtuar 4.04.2022 17:45