Karim Benzema e ka paraqitur një denoncim formal kundër Gerald Darmanin, ministër i brendshëm francez, i cili muaj më parë e kishte akuzuar ish-futbollistin e Real Madridit se ka lidhje me grupin terrorist “Vëllazëria Myslimane”.
Në denoncimin e tij mjaft të detajuar, i përbërë nga 92 faqe ankese, sulmuesi i Al Ittihad shkroi:
“Ne pretendojmë se nuk duam ta importojmë konfliktin izraelito-palestinez në Francë, por nuk është e qartë se si mund ta bëjmë këtë nëse rrezikojmë t’i ndezim më tej flakët me deklarata falsë”, shkroi fillimisht ish-përfaqësuesi francez, përcjell “Gazeta Express”.
“Sa më përket mua, ua kujtoj përsëri se kam zgjedhur të vazhdoj ta praktikoj sportin tim në Arabinë Saudite, ku ‘Vëllazëria Myslimane’ konsiderohet si grup terrorist. Ishte një deklaratë e pasaktë, e pavërtetë, e cila thjesht më vuri mua dhe familjen time në rrezik. Fëmijët e mi janë akuzuar se kanë baba terrorist. Një ministër i Brendshëm nuk mund të thotë gjëra të pavërteta dhe të pasakta”, ka shtuar ish-futbollisti i Lyonit, i cili pikërisht këto deklarata të ministrit i ka quajtur si përçarëse dhe të rrezikshme, në një moment kur është e nevojshme urgjentisht harmonia dhe përulësia për të ndihmuar në zgjidhje paqësore.
Benzema njihet si praktikues i rregullt i fesë islame, por i ka hedhur poshtë krejt akuzat për përfshirje apo afrim të tij me organizata terroriste.
Pas këtyre deklaratave dhe kësaj ankese, pritet reagimi i ministrit dhe i avokatëve të tij. /Gazeta Express/