Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka komentuar vendimin që pritet të shpallet nesër në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Sipas Berishës, gjatë procesit gjashtëvjeçar nuk është paraqitur asnjë provë që të mbështesë akuzat e ngritura ndaj tyre.
Të lidhura
None found
“Nesër është një ditë e veçantë. Në Hagë, pas një gjykimi të gjatë gjashtëvjeçar, gjykata do të shpallë vendimin e marrë kohë më parë për ish-udhëheqësit politikë të Kosovës”, ka shkruar ai.
Berisha shprehet se ata që e kanë ndjekur këtë proces nuk kanë dëgjuar apo lexuar asnjë dëshmi që të përforcojë akuzat për të cilat ish-krerët e UÇK-së u arrestuan.
“Për këtë arsye, për çdo shqiptar, për ish-udhëheqësit politikë të Kosovës mund të ketë vetëm një vendim: pafajësinë dhe vetëm pafajësinë e tyre. Urojmë që ata të kthehen të pafajshëm, ashtu siç janë, kryelartë dhe heronj të çlirimit të Kosovës”, vijon reagimi.
Ai ka dënuar gjithashtu kërcënimet ndaj Kosovës, rendit, paqes dhe sigurisë së saj në rast se Gjykata e Hagës merr një vendim të ndryshëm.
“Këto kërcënime janë absolutisht të papranueshme, absurde dhe të dënueshme. Kosova nuk mund të paguajë asgjë për një vendim gjyqësor të padrejtë”, ka deklaruar Berisha në Facebook.
