Federata Franceze e Futbollit (FFF) ka bërë publike përbërjen e plotë të ekipit teknik dhe mbështetës që do të shoqërojë Zinedine Zidane në drejtimin e Kombëtares së Francës, vetëm tre ditë përpara se trajneri të prezantojë listën e tij të parë për ndeshjet e Ligës së Kombeve.
Të lidhura
None found
Struktura e re do të ketë gjithsej 23 pjesëtarë. David Bettoni, bashkëpunëtor i vjetër i Zidanes, do të jetë krahu i djathtë i tij, ndërsa detyra për stërvitjen e portierëve i është besuar Fabien Barthez, një prej legjendave të futbollit francez.
Përgatitja fizike do të përforcohet me Arthur Hochedé, i cili vjen nga Red Star dhe do të bashkëpunojë me Grégory Dupont, këshilltarin e ekipit për strategjinë dhe performancën.
Ndryshime janë bërë edhe në departamentin mjekësor. Nën drejtimin e mjekut Hervé Collado, këtij sektori i janë bashkuar masazhatori Philippe Jamin dhe podologu Serge Isidor.
Detyrën për drejtimin e shërbimit mediatik do ta marrë gazetari i njohur francez Xavier Giraudon. Ndërkohë, Mohamed Sanhadji do të kujdeset për logjistikën dhe sigurinë e përfaqësueses franceze.
Zidane përgatitet për debutimin në stolin e Francës
Zinedine Zidane dhe stafi i tij do ta nisin punën zyrtare me Francën gjatë takimeve të shtatorit në Ligën e Kombeve.
Debutimi do të zhvillohet më 25 shtator, kur “Les Bleus” do të luajnë në transfertë kundër Turqisë. Më 28 shtator, vetëm tri ditë më pas, Franca do të përballet me Belgjikën.
Programi do të vijojë në fillim të tetorit me dy ndeshje në fushën vendase. Franca do të presë Italinë më 2 tetor, ndërsa më 5 tetor do të luajë sërish ndaj Belgjikës, këtë herë në ndeshjen e kthimit.
Kështu, Zidane do të nisë zyrtarisht periudhën e tij në krye të kombëtares franceze, me synimin për ta rikthyer atë në nivelet më të larta të futbollit evropian dhe botëror.
