Arritjet e boksit shqiptar në Kampionatin Botëror të të rriturve në Beograd nuk kanë fund, ndërsa Alban Beqiri, në peshën 67-71 kilogram, është jo vetëm gjysmëfinalist, por për herë të parë dhe medalist.
Historike për sportin e dorezave në vend, që kështu do të ketë në podiumin e medaljeve në këtë Botëror një boksier kuqezi. Dhe ky është Alban Beqiri, i cili minimalisht do të marrë medaljen e bronztë dhe maksimalisht të artën, apo të argjendtën.
Megjithatë, duke mbetur në raundin çerekfinal, Alban Beqiri ka bërë një ndeshje fantastike me jordanezin Zejad Eashash. Edhe pse ka patur probleme me mesin, apo shtyllën kurrizore, çka sipas trajnerëve Renato Kurti e Zef Gjoni është dashur dhe fizioterapia në ditët përpara ndeshjes për ta sjellë në formë, Beqiri ia ka dalë.
Goditje të sakta, dyluftime të pastra kokë më kokë me kundërshtarin, dalja me zgjuarsi nga situata kur ishte tek litarët dhe në përfundim 4-1 për Alban Beqirin, që kështu me kualifikimin e tij në gjysmëfinale shënon majat e karrierës.
Sipas pesë gjyqtarëve të tavolinës pikët ishin 28-29, 29-28, 27-30, 28-29, 27-30 gjithnjë në favor të Beqirit, i cili më 4 nëntor në raundin gjysmëfinal do të jetë përballë rusit Musaev, që fitoi 4-1 me indianin Nishant.
E finalja e madhe e peshës 67-71 kilogram do të jetë më 6 nëntor, ndërsa kështu tanimë sytë e veshët janë tek Alban Beqiri për ta bërë edhe më të madhe arritjen historike në Kampionatin Botëror të Boksit për të rritur në Beograd.
Medalja është, por pritet vetëm ngjyra e saj. Deri më tani, katër ndeshje, katër fitore dhe boksieri bardheblu e ka justifikuar plotësisht paraqitjen e madhe që ka bërë në këtë Botëror.