Një ditë para shpalljes së vendimit për katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-pjesëtarë të UÇK-së janë mbledhur pranë godinës së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Ata kanë marrë me vete flamuj kuq e zi, si dhe fotografi të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli.
Të lidhura
None found
Dhomat e Specializuara pritet ta shpallin të mërkurën, në orën 10:00, verdiktin për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Transmetimi i seancës do të nisë me një vonesë prej 10 minutash.
Mes qytetarëve të pranishëm para gjykatës ndodhet edhe ish-ushtari i UÇK-së, Ismail Selmani. Ai shprehu bindjen se vendimi do të jetë në favor të ish-krerëve të UÇK-së dhe e vlerësoi procesin gjyqësor ndaj tyre si të padrejtë dhe të papranueshëm.
Selmani tha se shpreson që gjykata të japë një vendim pozitiv, duke e vlerësuar këtë mundësi në masën 99 për qind. Sipas tij, Hashim Thaçi i ka shërbyer atdheut dhe nuk ka vepruar në interes të dikujt tjetër.
“Ne besojmë dhe shpresojmë që nesër gjykata të japë një verdikt pozitiv, me 99 për qind. Hashim Thaçi është një njeri që i ka shërbyer atdheut të tij dhe askujt tjetër. Nuk e di se si do të pranohej që këta simbole të kombit të gjykohen padrejtësisht. Ne nuk duam të ketë probleme, por nëse kjo ndodh, përgjegjësia u takon udhëheqësve politikë dhe jo luftëtarëve”, u shpreh ai.
Ish-ushtari i UÇK-së shtoi se ish-luftëtarët kanë pasur besim te drejtësia dhe presin që trupi gjykues të marrë një vendim sa më profesional dhe të mbështetur në ligj.
“Ne po kërkojmë të drejtat tona sepse i kemi besuar drejtësisë. Armët i morëm për ta çliruar vendin tonë. Besojmë se Gjykata Speciale nuk do të dështojë në këtë rast dhe se, nëse ka profesionalizëm, do të japë një verdikt të plotë në aspektin juridik. Nëse nuk ka profesionalizëm, ne nuk mund ta dimë se çfarë mund të ndodhë. Është më mirë të dënohet i gjithë shteti serb sesa populli shqiptar apo krerët e UÇK-së, themeluesit e popullit tonë”, deklaroi Selmani.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë prej gjashtë vitesh në proces gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Prokuroria i akuzon ata për krime kundër njerëzimit, ndërsa prokurorja ka kërkuar nga 45 vite burgim për secilin prej tyre.
