Borussia e Dortmundit komplikon totalisht objektivin për të siguruar një vend në zonën Champions të renditjes në Bundesligë, pasi humbi me rezultatin 1-2 në shtëpi, në sfidën direkte me Eintracht Frankfurt.
Këta të fundit kaluan në avantazh në minutën e 11’, pas një autogoli të Schulz, ndërsa verdhezinjtë ia dolën të shkojnë në dhomat e zhveshjes me rezultatin e barabartë 1-1, pasi ishte mbrojtësi Hummels që shënoi.
Në momentin më të mirë të Borussias së Dortmundit, ishte sulmuesi portugez Andre Silva që shënoi edhe golin e dytë për miqtë nga Frankfurti, duke u dhënë një fitore mjaft të rëndësishme, që i konsolidon në zonën Champions të renditjes.
Rikthehet te fitorja edhe Bayer Leverkusen, që triumfoi me shifrat 2-1 ndaj Schalke 04 në “Bay Arena”. Alario dhe Schick shënuan për “aspirinat”, ndërsa Schalke me këtë humbje është gjithmonë edhe më pranë rënies në Bundesligën e dytë, pasi ka grumbulluar vetëm 10 pikë në 27 ndeshje.
Në sfidat e tjera, Augsburgu triumfoi me rezultatin 2-1 ndaj Hoffenhaimit, Mainz dhe Arminia Bielefeld ndanë nga një pikë falë barazimit 1-1, ndërsa Wolfsburg mposhti me rezultatin minimal 1-0 Kolnin.
.