Miralem Pjanic po has vështirësi për të fituar një rol protagonisti te skuadra e Barcelonës, por mesfushori boshnjak nuk dorëzohet.
“Unë nuk firmosa për t’u larguar pas një sezoni. Për vite me radhë objektivi im ishte të vija këtu, ku dëshiroj të fitoj Championsin”.
Pastaj një mesazh për trajnerin Koeman:
“Do t’i kërkoja atij që të më jepte mundësinë për të luajtur 2-3 ndeshje radhazi, për të treguar futbollin tim, por unë nuk heq dorë dhe vazhdoj të punoj”.
Është e vështirë të thuhet se kush ka fituar nga shkëmbimi i verës midis Juventusit dhe Barcelonës, sepse të dy, si Pjanic dhe Arthur, po performojnë poshtë pritshmërive. Boshnjaku dhe bashkë me të gjithë mjedisi “blaugrana”, prisnin shumë më tepër. Në vend të ish-it të Juves, Koeman, pas De Jongut dhe djaloshit të ri Pedri, i ka besuar thuajse gjithmonë Sergio Busquets në mesfushë.
“Këtë vit dua të jap ndihmën time për të fituar dy trofe (La Ligan dhe Kupën e Mbretit), ky është mentaliteti im. Kurrë nuk heq dorë. Nëse nuk luaj, mëngjesin tjetër stërvitem më shumë se kurrë, në mënyrë që trajnerët të vërejnë se nuk po dorëzohem. Nuk e kam ndalur stërvitjen një ditë të vetme, edhe pse arrita më vonë për shkak të COVID-19. Kur shfaqa simptomat, nuk mund ta besoja … Koeman më tha paraprakisht se duhej të isha i qetë, për t’u rikthyer në formë, pra nuk duhej të ngutesha. Atëherë ishte e vështirë për mua. Koeman nuk flet shumë me lojtarët, kështu që ajo që duhet të bëj është të vazhdoj të punoj për të qenë gati kur ai të ketë nevojë për mua.”
Sa u përket marrëdhënieve që ka me Lionel Messin, boshnjaku komentoi:
“Spektakolare. Leo flet shumë me mua, më shpjegon gjera për ambientin, që në fillim nuk i kuptoja. Ai më mbajti në mbikëqyrje që në momentin e parë, duke më inkurajuar dhe ndihmuar. Nuk do të shohim futbollist tjetër si ai. Nuk e di se çfarë do të bëjë, por do të doja të isha pranë tij për shumë vite.”