E nisi sezonin si portieri i tretë, tani është e pabesueshme se si ai u bë hero i Real Madridit

Real Madridi kaloi në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve duke eliminuar kampionin aktual Manchester City, pas penalltive, pasi në dy ndeshje rezultati ishte i barabartë 4-4.

Në fund, spanjollët ishin më të suksesshëm me penallti, ku Real Madridi fitoi 4-3.

Portieri i Real Madridit, Andrij Lunin, priti dy penallti – të Mateo Kovacic dhe Bernado Silvas.

Ukrainasi, i cili mbushi 25 vjeç në shkurt, e nisi sezonin si portieri i tretë i Los Blancos.

Thibaut Courtois dhe Kepa Arrizabalaga ishin përpara tij në hierarki. Pra, shanset e Luninit për t’u mbrojtur këtë sezon për Realin në ndeshje serioze ishin minimale.

Belgu është “njëshi” i padiskutueshëm i Real Madridit kur është shëndoshë e mirë, por ka kohë që nuk është kështu.

Courtois e lëndoi rëndë gjurin verën e kaluar. Ai duhej të rikuperohej këtë pranverë, por pasoi një tjetër dëmtim i rëndë. Ai nuk u mbrojti fare këtë sezon dhe Kepa dhe Lunin ndanë minutat.

Kepa, portieri i njohur dhe shumë më i shtrenjtë se ukrainasi, që u pagua 8.5 milionë euro, kishte avantazhin, por nuk tregoi cilësi.

Në dy ndeshjet e fundit për Real Madridin, ai pësoi pesë gola – tre nga Atletico Madrid dhe dy nga Almeria, e cila me siguri do të zbresë nga La Liga.

Ishte në janar të këtij viti dhe pikërisht atëherë Ancelotti vendosi që Lunin të ishte zgjedhja e tij e parë në portë.

Ukrainasi e justifikoi besimin me paraqitje të shkëlqyera, sidomos në Ligën e Kampionëve.

Ai kishte nëntë pritje kundër RB Leipzig, dhe mbrëmë në “Etihad” ai grumbulloi tetë me dy penallti të pritura.

“Unë jam njeriu më i lumtur në botë. Puna ime e palodhur është shpërblyer. Jam i lumtur sepse mund të ndihmoj Realin dhe dua të falënderoj shokët e skuadrës për mbështetjen e tyre”, ka thënë Lunin pas ndeshjes. /Telegrafi/


Shtuar 18.04.2024 18:10