“Dy ditë më vonë me telefonoi Agnelli”, zbardhet dëshmia e Suarez për prokurorinë e Perugias

E përditshmja italiane La Republica ka zbuluar sot dëshminë e dhënë nga sulmuesi uruguaian Luis Suarez për prokurorinë e Perugias, që po heton në lidhje me provimin farsë të tij në Universitetin për të Huajt në qytetin italian.

Futbollisti ka zbuluar edhe detajet se si është kontaktuar nga drejtuesit e Juventusit për të veshur fanellën bardhezi, ndërsa më pas ka shtuar se e ka telefonuar edhe presidenti Agnelli, që e ka falënderuar për përpjekjet e bëra.

“Fillimisht më telefonoi Nedved dhe më pas Paratici, por të dy ata e dinin që unë kam pasaportë italiane. Provuam që ta marr në kohë pasaportën dhe fiksuam datën e provimit. Kishim negociata të avancuara për të mbërritur në Torino, por ditën e provimit i thashë profesoreshës që nuk do të luaj për Juven. Kur isha në aeroport për t’u larguar, më telefonoi Paratici dhe më tha se kisha bërë zgjedhjen më të mirë për familjen. Dy ditë më vonë më telefonoi edhe presidenti Agnelli, që më falënderoi për përpjekjet që bëra që marrëveshja të mbyllej me sukses dhe shprehu keqardhjen që nuk u konkretizua transferimi”, ka thënë ndër të tjera Suarez.


Shtuar 15.03.2021 13:13