Daja mediton largimin: Do flas me drejtuesit, dikush do marrë përgjegjësi

Ilir Daja e mendon largimin dhe e tha edhe në deklaratën e tij në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.  “Pësojmë gola jashtëzakonisht të lehtë. Me daljen e Seferit kaluam në 4-2-3-1, pasi futëm edhe Kaçen. Menduam të rrezikonim më shumë. Të pësosh gola në atë mënyrë… janë tre mbrojtës tonë që nuk mbyllin portën.

Janë defekte që na ngarkojnë edhe ne me përgjegjësi. Tentuam ta fitojmë ndeshjen, ky është futbolli, por mund të kishim marrë më shumë nga ky derbi”, tha fillimisht trajneri Daja, që sigurisht nuk e kishte pritur ta niste kështu me Partizanin.

“Nuk e kishim menduar se do kishim kaq pak pikë, por të gjithë bashkë kemi përgjegjësi. Duhet të reflektojmë të gjithë, nga unë i pari e deri te lojtari më i ri.

Ekipi prodhon lojë. Nuk flas për derbin, pasi nuk ka ndonjë prodhim loje. Ka dyluftime, por na mungojnë shumë pikë në bazë të asaj që kemi paraqitur. Jemi në pozicion jo të mirë, por do ulemi me drejtuesit për të vendosur se çfarë do të bëjmë në të ardhmen”.

“Përveç 3 ndërrimeve që bëmë, të gjithë lojtarët e tjerë në stol ishin të ekipit U19. Tentuam të bëjmë diçka më shumë sot, por na dhemb mënyra e lehtë e marrjes së golave. Edhe dyluftimet nuk janë siç duhet”.

“Në ditët në vazhdim do flas me drejtuesit e klubit, në lidhje me të ardhmen time dhe të lojtarëve. Në këtë situatë të vështirë që jemi, dikush duhet të marrë përgjegjësinë, ose disa të marrin përgjegjësi.

Nëse zgjidhja më e mirë është ta marr unë përgjegjësinë, edhe për ato gola që kemi pësuar, duhet bërë një zgjidhje. Dikush duhet ta marrë përgjegjësinë e kësaj situate ku ndodhet Partizani”.

“Stenio Junior vazhdon të luajë mirë, por atij nuk i shërbehet si vitin e kaluar, prandaj zhvendoset nga zona ku duhet të luajë për të krijuar hapësira për të tjerët. Është mungesë e ekipit për të çuar Stenio Junior përpara portës, pasi është nga lojtarët më të mirë që kemi në ekip”. / h.ll/albeu.com


Shtuar 23.12.2021 22:54