“Çmenduritë” e Nakata, samurajit të Serie A që e lodhën milionat

Në Japoni është një Zot. Hidetoshi Nakata, një nga më të mirët në historinë e futbollit japonez, i befasoi të gjithë kur e la futbollin në moshën 29-vjeçare. Arsyetimi i tij ishte që e la për arsye parimore. Donte ta shijonte këtë sport të bukur, por jo si profesionist. Gjërat kishin ndryshuar shumë dhe Nakata nuk e shikonte veten pjesë të asaj bote.

 

“Futbolli është kthyer i gjithi në biznes, nuk luhet më për të bërë qejf. Do vazhdoj të luaj futboll e të kënaqem, por asnjëherë më si futbollist profesionist. Unë nuk po luaja futboll sepse doja të bëhesha i famshëm ose të bëhesha milioner, por sepse e dashuroj futbollin. Ndihesha pak i lodhur nga mjedisi dhe gjërat që ndodhin”, do të deklaronte Nakata.

Japonia ishte mposhtur nga Brazili me rezultatin 4-1 dhe mesfushori që kishte provuar të luante në Seria A në Premier League mendoi ta mbyllte me futbollin e luajtur. Dhjetë vite larg vendit të tij dhe Nakata mendoi të rikuperonte kohën e humbur. “Il Beckham del Sol Levante” e kishte menduar misionin e ri.

 

Shtatë vite me radhë duke udhëtuar, me makinë, në të 47 prefekturat e Japonisë. Takoi njerëz të të gjithë profesioneve, fermerë, kuzhinierë, zejtarë, të cilët ishin njerëz të vendosur të ruanin traditat e vjetra. Ai udhëtim e bëri atë të gjente pasionin e tij të vërtetë: “sake”. Një pije tradicionale japoneze, si rakia në Shqipëri.

Sake prodhohet nga orizi i fermentuar dhe Nakata u lidh me të prej punës që bënin njerëzit për ta përgatitur, për historinë që mbarte në vetvete ajo pije. Nakata ishte imazhi i ri i sake, shitjet e së cilës kishin rënë ndjeshëm prej vitit 1975. Vera dhe koktejet e tjera i kishin zënë vendin. Nakata e çoi në stad tjetër dhe e riktheu në një biznes të suksesshëm.

 

KARRIERA E JAPONEZIT – Bellmare Hiratsuka, sot Shonan Bellmare, ishte skuadra e parë e Nakata. Vetëm 18 vjeç atëherë, në vitin 1995, japonezi luante si mesfushor me tipare sulmuese. E nisi me një trofe, Asian Cup Winners. Hera e parë që klubi i tij arrinte të merrte një trofe aq të rëndësishëm dhe Nakata shënoi një gol në finale.

Në Japoni vijoi me paraqitjet pozitive dhe u bë anëtar i kombëtares së tij, duke marrë pjesë edhe në World Cup 1998, në Francë. Kaq mjaftoi dhe ishte koha për një tjetër aventurë, në elitën e futbollit italian. Perugia pagoi 4 milion dollarë dhe Nakata u bë lojtari i dytë japonez që transferohej në Serie A. Më parë Kazuyoshi Miura i ishte bashkuar skuadrës së Genoa. Menjëherë 10 gola të shënuar, numri më i lartë për të brenda një sezoni.

Perugia e mbajti edhe 6 muaj dhe më pas u dorëzua, pasi në janar të vitit 2000 ishte Roma që pagoi 42 miliard lireta (rreth 22 milion euro) për kartonin e tij. Nakata dha ndihmën e tij në fitimin e titullit kampion, teksa ishte vendimtar në takimin kundër Juventusit më 6 maj të vitit 2001. Bardhezinjtë shënuan dy herë, me Del Piero fillimisht dhe më pas me Zidane.

Nakata ishte në stol dhe zëvendësoi një legjendë si Fracesco Totti. Japonezi u bë protagonist i një supergoli nga 30 metra, që hapi takimin. Në shtesë, mesfushori detyroi Van Der Sar ta linte topin në zonë pas një goditjeje në hyrje të zonës dhe Montella shmangu humbjen e Romës, duke ruajtur diferencën prej 6 pikësh dhe fitoi titullin kampion më pas.

 

Trofe dhe më pas një aventurë e re. Kontratë 4-vjeçare, Parma skuadra e Nakata dhe 55 miliard lireta (28.4 milion euro) të paguara. Shifër rekord për një lojtar aziatik dhe u deshën 14 vite që ai rekord të binte, pas transferimit të Son Heung-min nga Bayer Leverkusen te Tottenham. Japonezi e nisi me trofe te Parma, teksa fituan Kupën e Italisë.

Në finalen e parë shënoi kundër Juventus në humbjen 2-1 dhe në kthim ai gol jashtë fushë kishte shumë vlera, pasi skuadra e tij e ngriti trofeun falë një fitoreje me rezultatin 1-0.

Dy vite e gjysmë te Parma dhe më pas eksperienca të tjera me skuadra si Bologna dhe Fiorentina, për të kaluar në verën e vitit 2005 te Bolton Wanderers. Sezoni i fundit për mesfushorin, që provoi të luante edhe në Premier League, ku shënoi një gol. / h.ll/albeu.com


Shtuar 23.04.2022 10:51